Strasburgu legjitimon përgjimet e SKY: Gjykatat mund t’i përdorin si prova
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka vendosur se marrja dhe përdorimi në procese gjyqësore i komunikimeve të SKY Encrochat nuk shkel të drejtat themelore të njeriut, duke i hapur rrugë përdorimit të këtyre bisedave në proceset gjyqësore që kanë nisur tashmë në një pjesë të madhe të vendeve të Europës, përfshirë këtu Shqipërinë.
Përgjimet e SKY u sfiduan në gjykatën e Strasburgut nga dy shtetas britanikë. Ata kundërshtuan provat duke paditur Francën, si vendi që udhëhoqi aksionin kundër aplikacioneve të enkriptuara, për shkelje të privatësisë. Në padi dy shtetasit britanikë ngritën pretendimin se bisedat e tyre në aplikacion janë përfituar nga një proces i parregullt në Francë, por Strasburgu e refuzoi kërkesën në unanimitet duke i hapur dritën jeshile në gjithë Europën, përdorimit të përgjimeve të Encrochat si indicie e provave në procese gjyqësore.
Encrochat ka shpërndarë mbi 66 mijë telefona të koduar nga 2016 deri në 2020, që sipas autoriteteve franceze në 90% të rasteve janë përdorur nga krimi i organizuar. Në një vendim të ngjashëm edhe Gjykata Europiane e Drejtësisë, që është gjykata më e lartë e BE-së, rrëzoi një kërkesë të ngjashme për shpallje të paligjshme të provave të siguruara nga Encrochat. Nga përgjimet e SKY edhe në Shqipëri kanë nisur disa procese të bujshme, përfshirë këtu edhe “Metamorfoza”.