Strazimiri: Po përgatitemi për zgjedhje. Çdo marrëveshje me Ramën është bashkëpunim me krimin
Partia Demokratike është duke u përgatitur për zgjedhje të parakohshme. I ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora ish-deputeti Gent Strazimiri tha se qëllimi i opozitës është që të shpëtojë vendin nga kjo qeverisje.
“PD dhe opozita po përgatiten për zgjedhje, jemi në fazën e riorganizimit dhe të forcimit për të përmbyllur një proces organizativ në struktura. Qëllimi është të shpëtojmë vendin duke e nxjerrë nga kriza, të shpëtojmë nga kjo qeveri e kapur disa herë në krim. Kjo qeveri që ka gjymtuar parlamentin dhe na ka kthyer në një shtet monopartiak të skandaleve, të varfërisë dhe mosfunksionimit të ligjit”,- tha Strazimiri.
Lidhur me mënyrën sesi do të shkohet drejt zgjedhjeve, Straizimiri ka përjashtuar çdo mundësi për marrëveshje. “Marrëveshja me Edi Ramën dënohet nga kodi penal, është bashkëpunim në krim. Unë nuk do ta bëja dhe nuk do t’ja këshilloja as Lulzim Bashës. Një marrëveshje mes të gjitha partive politike kjo është e mundshme dhe mund ta zgjidhte situatën”,- tha Strazimiri.