Strehonin emigrantë në shtëpitë e tyre dhe i trafikonin drejt Britanisë, shkatërrohet banda e shqiptarëve

Një operacion i gjerë policor në Berlin ka çuar në ndalimin e disa pjesëmarrësve të një grupi trafikantësh të personave nga Ballkani, mes tyre edhe shqiptarë.

Policia gjermane goditi të mërkurën një bandë trafikantësh shqiptarë dhe të tjerë që transportonin shtetas nga Ballkani drejt Britanisë dhe Irlandës, me dokumente të falsifikuara.

170 oficerë policie u mobilizuan në gjithë kryeqytetin gjerman për operacionin e kapjes së grupit kriminal në 11 godina të ndryshme, përfshirë një restorant grek.

Në një nga banesat e bastisura u arrit të kapej një 38-vjeçar me origjinë nga Shqipëria së bashku me katër shtetas të tjerë pa lejeqëndrimi që strehoheshin bashkë me të.

Policia njoftoi se në apartamentin e personit të dyshuar si njëri nga trafikantët, u gjetën një seri dokumentesh, pasaportash dhe kartash identiteti, në pamje të parë të falsifikuara.

Një fotografi e postuar në faqen zyrtare të policisë federale të Berlinit në Twitter zbuloi se një numër pasaportash u përkisnin shtetasve shqiptarë.

Në ambientet e banesave të kërkuara u gjetën edhe një shumë parash në vlerën 100 mijë euro.

Sipas hetuesve, personat që synonin largimin për qëllime pune drejt Britanisë mbërrinin në kryeqytetin gjerman me linja avioni ose autobusi nga Italia.

Aty pajiseshin me dokumente false, kryesisht greke apo italiane, cilësia e të cilave ndryshonte në bazë të pagesës.

Nga hetimet e mëparshme me grupet shqiptare, autoritetet gjermane thonë se pagesa për trafikantët varion mes 5 dhe 9 mijë eurove për person.

Banda e fundit kriminale përbëhej në tërësi nga shtetas të kombësisë greke, maqedonase, kosovare, shqiptare por edhe gjermane.

Operacioni i së mërkurës solli ndalimin e të paktën 9 shtetasve të këtyre kombësive.

SHKARKO APP