Strehuan 28 klandestinë, një në pranga nga Policia e Fierit
Një 52-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Fierit, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi strehuan 28 klandestinë me qëllim trafikimin për në vendet e Bashkimit Europian. Në operacionin e koduar “Ndalesa”u arrestua në flagrancë 52 vjeçari me iniciale Z. M., banues në Shkodër dhe u shpallën në kërkim një 30 vjeçar nga Vlora dhe një 37 vjeçar nga Patosi. Sipas policisë këta shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin, kishin strehuar 28 klandestinë në ambientet e një magazine në fshatin Portëz.
Njoftimi i Policisë Fier
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Ndalesa”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Strehuan 28 klandestinë me qëllim trafikimin për në vendet e Bashkimit Europian, arrestohet në flagrancë një shtetas, shpallen në kërkim dy të tjerë.
Në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Fier në bashkëpunim me Njësinë Hetimore në DPPSH finalizuan operacionin policor të koduar “Ndalesa”, në përfundim të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi Z. M., 52 vjeç, banues në Shkodër.
Gjithashtu u shpallën në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve K. K. (M)., 30 vjeç, banues në Vlorë dhe S. M. (G).,37 vjeç, banues në Patos.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin,në fshatin Portëz, në ambientet e një magazine në pronësi të shtetasit S. M.(G), dhënë me qira shtetasit K. K. (M)., kishin strehuar 28 klandestinë me qëllim trafikimin e tyre për në vendet e Bashkimit Europian. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.