Struktura e re e policisë, 5 drejtorë të përgjithshëm dhe një zv/drejtor

Policia e Shtetit pritet të ketë një strukturë të re, duke nisur që nga muaji që vjen. Me strukturën e re parashikohen ndryshime edhe në të gjitha strukturat përkatëse, pasi do të marrin fund “fryrjet” e administratave dhe drejtuesve nëpër zyra dhe rëndësi do i kushtohet zbritjes së uniformave blu në terren. Pas hyrjes në fuqi të strukturës së re, Policia e Shtetit do të ketë 5 drejtorë të përgjithshëm dhe një zëvendësdrejtor.

Konkretisht, sipas strukturës që pritet të zbatohet shumë shpejt, do të jenë 4 drejtorë të përgjithshëm, një drejtor i përgjithshëm për Departamentin e Rendit, një për Departamentin e Krimeve, një për Departamentin e Kufirit dhe një për Strukturën e Shërbimeve Mbështetëse. Ndërkohë, do të ketë një zëvendësdrejtor të përgjithshëm dhe mbi të gjithë do të qëndrojë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, raporton “GSH”.

Në strukturën aktuale të Policisë së Shtetit janë dy zëvendësdrejtorë, një për Rendin dhe një për Krimet, është drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, drejtori i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit dhe ai për Shërbimet Mbështetëse. Ndryshime do të bëhen edhe brenda organikës së Departamentit për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda. Konkretisht në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Drejtorinë për Krimin Ekonomik Financiar, në Drejtorinë për Aktet Terroriste dhe Krimet e Rënda dhe në sektorin për Krimet Kompjuterike do të ketë ndryshim të numrit të stafit. 

SHKARKO APP