Struktura e re e policisë në Vlorë, Veliu: Po ndërtojmë policinë moderne
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, zhvilloi një vizitë në Drejtorinë e Policisë në Vlorë ku prezantoi strukturën e re “Shqiponja”. Ai deklaroi se qeveria me mbështetjen e saj po përpiqet të krijojë një polici moderne, por që kjo gjë të arrihet duhet dhe bashkëpunimi i qytetarëve.
“Kjo nuk është një reformë, kjo është policia moderne. Me qëllim bashkëpunimin me qytetarët dhe krijimin e një strukture moderne. Për të rritur parametrat e sigurisë, ky është shembulli më i mirë se siguria është një sipërmarrje e përbashkët”, tha Veliu përpara “Shqiponjave”.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i pranishëm në këtë ceremoni, vlerësoi punën e Policisë së Shtetit dhe u shpreh se kjo gjë vihet re në të gjithë treguesit e sigurisë. Lleshaj, më tej shtoi se sfida e të ardhmes për policinë është goditja e krimit kibernetik dhe ekonomik.
”Kemi përmirësim të të gjithë indikatorëve të cilët masin performancën e punës së policisë. Qëllimi është lufta e vendosur kundër krimit. Ndaj është nevojë e dorës së parë që policia të jetë e pajisur, e trajnuar etj. Ndërkohë sfida e re do të jetë luftimi i krimit edhe aty ku nuk ka qenë traditë e fortë, kryesisht në fushën e krimit kibernetik dhe krimit ekonomik. Ndërsa ftoi të rinjtë e diplomuar në sektorët përkatës t’i bashkohen radhëve të policisë”, tha Lleshaj.