Struktura për Mbrojtjen e Votës në PD, Vokshi: Bëjnë atë që nuk bën shteti i Ramës
Kandidatja për deputete e PD-së në listën e qarkut të Tiranës, Albana Vokshi, sqaron se çfarë janë Strukturat e Mbrojtjes së Votës dhe si funksionojnë ato, duke qenë se një grupim i ngjashëm u përfshi në ngjarjen e rëndë në Elbasan ku u vra një person dhe u plagosën 4 të tjerë. Sipas Vokshit, Strukturat e Mbrojtjes së Votës janë të përbëra nga profesionistë të cilët sigurojnë prova dhe denoncojë krimin elektoral.
“Në mungesë totale të institucioneve shtetërore, të shtetit për të mbrojtur votën, atëherë pranë PD-së janë krijuar struktura të posaçme të përbërë nga profesonalistë të fushës.
Ata vullnetarisht po punojnë në mënyrë të organizuar në shtabe për të marrë informacione, për të siguruar dhe denoncuar atë që quhet krim elektoral. Nuk janë të armatosur. Ato që kanë leje në mënyrë të ligjshme mund ta mbajnë armën.
Unë në shtabin tim nuk kam njerëz të armatosur. Zoti Bardhi tha që ai që kishte armë e kishte me leje. Janë persona të organizuar në Strukturat e Mbrojtjes së Votës. Ata bëjnë atë që shteti nën urdhrat e Ramës nuk po e bën”, tha Vokshi për ”A2cnn”.