Studentët e Mjekësisë dalin kundër ligjit: Nuk duam kufizime, ose ne mund të rinisim protestat
Studentët e mjekësisë së përgjithshme, nuk përjashtojnë mundësinë e rikthimit të protestave dhe ankimimin në gjykata ndërkombëtare të projektligjit që i detyron të punojnë në vend pas diplomimit. Ata kundërshtojnë draftin e ndryshuar nga qeveria ”Rama 3” pas vendimit të Kushtetueses dhe thonë se nuk dolën në rrugë për të reduktuar vitet e qëndrimit në atdhe, por filozofinë e ligjit në tërësi.
“Ne tashmë jemi në bisedime e sipër me avokatët tanë, dhe jemi drejt përfundimit të një drafti ligjor për ta çuar çështjen dhe në gjykata ndërkombëtare. Çdo përpjekje për të na injoruar në vazhdim do të ketë përgjigje si një vit me parë”,-thanë ata.
Me draftin e hedhur për konsultim afatet e punësimit në vend për mjekët e rinj ulen nga pesë në tre vjetë për studentët e vitit të parë, për studentët e vitit të dytë deri në të katërt nga tre në dy vjet dhe për studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë në 1 vit, por mjekët e rinj thonë se mbajtja peng e diplomës nuk është zgjidhje për ti mbajtur në Shqipëri.