Studentët mësim dhe ”takime” online. Kushi: Një vendim aspak i lehtë
Komiteti i Ekspertëve, përmbysi vendimet e disa prej fakulteteve në vend, të cilët kishin vendosur zhvillimin e mësimit të kombinuar mes prezencës në auditorë dhe leksioneve online. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, thotë se sfidat vazhdojnë të jenë të shumta për shkak të pandemisë Covid-19. Ajo thotë se situata aktuale nuk duhet të na trembë por t’na japë forcë dhe vendosmëri që edhe përgjatë këtij viti akademik të arrijmë maksimumin.
”Komiteti i Ekspertëve ka propozuar së fundmi, që të paktën muajin e parë, mësimi të zhvillohet në distancë, pra “online”, në mënyrë që të frenohet përhapja e mëtejshme e virusit. Një vendim aspak i lehtë ky, i imponuar nga ecuria dhe dinamika e pandemisë, por që fatmirësisht i ka gjetur universitetet tona të përgatitura që më herët në mënyrë që mësimdhënia të nisë dhe të zhvillohet pa ndërprerje”, shkruan ajo më tej.
Për më tepër, Kushi shkruan se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për nisjen e këtij fillim-viti akademik. Ajo ka një lutje për të gjithë studentët, ku shkruan se “Në fund, një lutje për të gjithë ju, që në asnjë moment të mos neglizhoni respektimin e masave anti-covid. Kjo është e vetmja mënyrë që ne ta kapërcejmë sa më lehtë këtë periudhë dhe t’i rikthehemi sa më parë normalitetit që të gjithë dëshirojmë”.
Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha ka uruar të gjithë studentët për fillimin e vitit të ri akademik. Hoxha ka thekson se Universiteti i ka marrë të gjitha masat për të pasur një vit akademik me kushte sa më të mira në këtë periudhë pandemie.
”UT ka marrë masat e nevojshme për të garantuar mbrojtjen e shëndetit të studentëve, por edhe për stafet në universitet. Stafet kanë marrë përsipër që të zhvillojnë proces mësimor normal, pavarësisht të papritura që mund të sjellë kjo pandemi. Jam i bindur se edhe ky vit do të jetë i suksesshëm, falë punës së secilit koleg. Të nderuar studentë, ju uroj shumë suksese, sidomos studentëve që hyjnë për herë të parë në ambientet e Universitetit të Tiranës. Bëj thirrje që të tregohet kujdes në zbatimin e rregullave për t’u mbrojtur nga ky virus. Janë marrë masa ndaj Covid-19, sipas protokolleve ndërkombëtare. Do të doja që mësimi të zhvillohej në ambientet tona, por se ky vit akademik nis online, por besojmë se do kthehemi së shpejti në mjediset universitare”, u shpreh rektori.
Por për ata studentë që nuk kanë mundësi të ndjekin mësimin online? ”Mund të ketë studentë që për arsye të ndryshme të infrastrukturës, financiare mund të mos kenë akses në ndjekjen e leksioneve online, por ne kemi qenë gjithmonë shumë fleksibël si staf akademik në ofrimin edhe të mënyrave të tjera në auditorë për këto studentë, në fund të semestrit do të krijojmë një dy javorësh në formën e konsultimeve, për të ofruar maksimumin e mundshëm, por duhet të jemi të vetëdijshëm të dy palët, si stafi akademik ashtu dhe studentët dhe prindërit që mësimi në këto kushte nuk është i njëjtë me mësimin në auditorë”,-tha Fatbardh Sallaku, rektor i UBT-së.
Vendimi nuk gjeti pa përgatitur as Fakultetin e Drejtësisë, i cili më herët kishte vendosur për zhvillimin e procesit kryesisht online, ndërsa grupet e vogla në fakultet. ”Fakulteti është angazhuar maksimalisht për të përcjellë informacionin, veçanërisht te vitet e para, qoftë për përdorimin e platformës, për çdo problematikë, apo shpjegimin e orarit, tekstet mësimore, për leksionet, seminaret dhe për gjithë mënyrën si do zhvillohet mësimi”,-thotë Sokol Mëngjesi, dekan i këtij Fakulteti.