Studentët përgjigjen me protesta, kërkojnë rikthimin në auditore

Vendimi për të mos rihapur auditoret në fakultete ka lënë të pakënaqur studentët. Duke pranuar masat anti-Covid ata shprehen se do të organizojnë protesta për të kundërshtuar qëndrimin e ekspertëve. Nga ana tjetër, Sindikatat e Arsimit parauniversitar kërkojnë masa për transportin e mësuesve dhe nxënësve.

Protestat e studentëve në fillim të nëntorit nuk kanë pasur ndikim të komitetin e ekspertëve të angazhuar në parandalimin e koronavirusit.

Në deklaratën e fundit sërisht është bërë e ditur se auditorët do të qëndrojnë të boshatisur dhe mësimet do të vazhdojnë online edhe pas datës 2 dhjetor.

Ky vendim nuk u mirëprit nga të rinjtë, të cilët thonë se e konsiderojnë të padrejtë që nuk trajtohen njësoj me arsimin parauniversitar.

“Kemi arsimin parauniversitar që zhvillon mësimin rregullisht, po ashtu dhe arsimin e mesëm. Kjo mbyllje është vetëm për Universitetet dhe ndodh në mënyrë të papritur.”

Përfaqësues të shoqërisë civile nuk përjashtojnë as mundësinë e rikthimit të protestave, duke respektuar masat anti-Covid.

“Është një mundësi që po diskutohet mes studentëve, protesta, por duke parë edhe situatën e pandemisë në vend.”

Por ndryshe nga Universitetet, shkollat 9 vjeçare dhe gjimnazet do të vijojnë mësimin në klasa.

Ky vendim është përshëndetur nga Sindikata e Pavarur e Arsimit, por kërkojnë më shumë masa për transportin e stafit akademik.

“Më shumë në përhapjen e virusit ndikon transporti, transporti urban i kryeqytetit dhe qyteteve të tjera. Të gjithë e shohin dhe asnjë masë nuk po merret. Mund të duket absurde, por mësuesit po punojnë në kushte më të vështira sesa mjekët dhe infermierët, pasi nëse këta të fundit përballen me pacientë që e dinë që janë bartës të virusit Covid 19, mësuesit punojnë çdo ditë me nxënës që mund të jenë bartës të virusit por nuk shfaqin simptoma.”

Sipas Sindikatës, janë mbi 1000 mësues të infekuar me Covid dhe sipas tyre ky numër është rreth 2 herë më i lartë te nxënësit.

Ora News - Studentët përgjigjen me protesta, kërkojnë rikthimin në auditore

SHKARKO APP