Studimi sesi sistemi imunitar e lufton Covid-19, ja çfarë u zbulua
Covid-19 është shqetësimi global dhe kjo pandemi ende nuk njihet mirë. Por shkencëtarët në Australi shprehen se kanë identifikuar mënyrën se si sistemi imunitar i trupit të njeriut lufton virusin Covid-19. Studimi i publikuar në revistën “Nature Medicine”, tregon se pacientët po shërohen nga virusi i ri, në të njëjtën mënyrë si nga gripi i zakonshëm. “Ky zbulim është i rëndësishëm pasi është hera e parë ku ne kuptojmë se si sistemi ynë imunitar lufton koronavirusin e ri”.
Çfarë është zbuluar konkretisht? Persona të shumtë janë shëruar nga Covid-19, që do të thotë se dihej qe sistemi imunitar mund të luftojë me sukses virusin. Për herë të parë, hulumtimi identifikoi katër lloje të qelizave imune të cilat u shfaqën duke luftuar Covid-19.
Studimi u përqendrua te një paciente që vinte nga Wuhani i Kinës, epiqendër e përhapjes së koronavirusit të ri. 47-vjeçarja u shërua brenda 14 ditëve por 3 ditë përpara se të niste të përmirësohej, disa qeliza specifike u shfaqën në qarkullimin e gjakut. Në pacientët me grip të zakonshëm, të njëjtat qeliza shfaqen në këtë periudhë të shërimit, shprehen studiuesit. Identifikimi i aktivizimit të këtyre qelizave imunitare mund të ndihmojë në parashikimin e rrjedhës së virusit.