Studiuesi Mark Palnikaj sjell letrën e krerëve të Gashit, 30 maj 1689, drejtuar Kongregatës së Shenjtë

Studiuesi Mark Palnikaj përmes një postimi në llogarinë e tij personale në  Facebook paraqes të plotë letrën e krenave të Gashit të rishkruar sipas versionit të shkrimit shqip të vitit 1689 dhe sipas variantit të sotëm të gjuhës shqipe.

Letra e krerëve të Gashit (në varjantin origjinal)

Faqja 319 (e dosjes se Arkivit te Propagandes ne Vatikan)

“Pre Prefetto dij bucur V. P. si kaa orξenuom scenti conuend me

darguom ende Pult katar Frat per te scerbuem atune te karstenauet chi ginten ende nahiete pugltit, e iane scuom katar uiet se poi pressam me arξun e s’na kana passa arξun gere tascti, e tascti εotune i soul ende kata ξee dγγ, e perse nuku iane arξun me giξξa kafscia, chi i duhen ueti, urξeni prei teie me endegnun, petka, libra e paa ato sun rijne, pra asctu me conuend Patrene Sebastiane po e mbame kaha, e tietarane pota dargogniam me ta kalaεuom e me mar cafsciate niescim ueti e scioscit, e ta dγγ suna pota lisciognam, se tutemi se, sicuur gere tascti, asctu ende pas sot nuku na uignan, e pota gliutemi fort e fort bane per laudia e tineεot mos na lee pa dγγ frat, se kemi uorfania neuoia scium, e ta jemi porossitun ende scinte orate.

Ende Gas li 30 di Maggio 1689

Di V. P. Rda

Deuotis.mi Serv.ui

Krenate e Gascit

Letra e krerëve të Gashit

 (në shqipen e sotme)

Për vendosjen e letrës në gjuhën standarde më ka ndihmuar Fra Lovro Gavran. (M. P.)

  1. 319

Prefekt, Atësia Juaj V.ostra P.aternità) e di mirë se si ka urdhëruar

Kongregata e Shenjtë që të dërgohen në Pult katër Fretër për të shërbyer këtyre të Krishterëve, që gjenden në zonën (nahietë) e Pultit, e kanë kaluar katër vjet, që po i presim të vijnë, e nuk na kanë ardhur deri tash, e tash Zoti ynë i ka sjellë në këtë vend dy.

E pasi nuk kanë ardhur me të gjitha sendet që u nevojiten: urdhri prej teje që të rrinë, petka, libra – e pa ato ata nuk mund të jenë, prandaj ashtu me marrëveshje P. Sebastianin e mbajmë këtu, e tjetrin po ta dërgojmë që t’ju tregojë e që t’i marrë sendet e nevojshme për vete dhe për shokun.

E të dy nuk mund t’i lëshonim, sepse kemi frikë (tutemi) se, sikurse deri tash, ashtu edhe në të ardhmen nuk do të na vinin.

E po të lutemi me gjithë zemër (fort e fort), bëje për lavdinë e Zotit

(e Tenzot): mos na lë pa dy fretër, sepse kemi shumë nevojë dhe jemi të varfër. Dhe porositemi në lutjet (uratat) e tua të shenjta.

Në Gash, më 30 maj 1689.

Të Atësisë Suaj të nderueshme

Shërbëtorë shumë të devotshëm

Krerët e Gashit

SHKARKO APP