Sula: Kandidatët e ”Primareve” të regjistrohen nën siglën e PD-së. Boçi është vëllai ynë demokrat
Pas një lufte për vulën dhe logon e PD-së, sot Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhje me kryetar të komanduar Enkelejd Alibeajn.
Pas thirrjes dhe reagimit të Alibeajt, edhe deputeti Dashnor Sula përsëriti thirrjen e bërë ndaj kandidatëve të dalë nga Primaret e Rithemelimit, duke kërkuar që këta të fundit të regjistrohen nën siglën e PD-së në zgjedhjet lokale të 14 Majit.
Ai tha se vula e PD-së nuk është as e Alibeajt dhe as e Berishës dhe shtoi se edhe deputetët e tjerë janë të mendimit që të kenë vetëm një kandidat të përbashkët në zgjedhje.
”Unë dhe kolegët e mi i shtrijmë dorën të gjithë kandidatëve të dalë nga procesi i Primareve të regjistrohen në siglën e PD-së si individë. Sepse vula apo sigla nuk është pronë as e Alibeajt as e Berishës. Unë personalisht si deputet i Elbasanit, bashkë me Bardhin, Gështenjën dhe të tjerët, jemi në linjën që ne të kemi një kandidat të përbashkët. Luçiano Boçi është vëllai ynë demokrat, kemi ndarë lot gëzimi bashkë, unë u dal në krah kandidatëve të tjerë”,-u shpreh deputeti.