“Sulmet ndaj gazetarëve sjellin klimë kërcënimi e vetëcensurë”
Zhvillimi i mediave të pavarura në vendet e Ballkanit Perëndimor mbetet si edhe më parë një temë qendrore e vendeve të Ballkanit Perëndimor, thotë Harlem Desir, i ngarkuari i OSBE për lirinë e medias.
Deutsche Welle: Mediat në vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen në presion të shumanshëm, lidhur me lirinë e shtypit dhe mendimit ka ende shumë gjëra që nuk shkojnë si duhet. Cilat janë shkaqet sipas jush?
Harlem Desir: Problemi më i madh i medias në Ballkanin Perëndimor është (rrezikimi) i sigurisë së gazetarëve. Kemi parë shumë sulme dhe kërcënime në të shkuarën. Ende autorët mund t’i shpëtojnë dënimit ose nuk marrin dënimin e merituar. Për shembull në Malin e Zi u qëllua gazetarja Olivera Lakiq dhe autorët nuk janë kapur ende. Kjo gjë krijon një klimë kërcënimi dhe madje edhe vetëcenzure.
Por është edhe një çështje e respektit nga ana e politikës. Shtypi duhet të respektohet, edhe nëse është kritik. Gazetaria nga natyra e saj është kritike. Ajo është një aktore e rëndësishme e demokracisë, sepse u kërkon llogari atyre që janë në pushtet. Dhe ajo e ndihmon opinionin publik me informacione të pavarura duke lejuar kështu një debat pluralist. Prandaj është një detyrë shumë e rëndësishme që në media të mundësohet pluralizmi dhe shumëllojshmëria e mendimit. Në shumë vende mediat janë nën presion ekonomik dhe nën presionin e interesave politike, që i përdorin mediat për të vulosur mendimin publik, për ose kundër qeverisë.
Prandaj është i rëndësishëm krijimi i mediave të pavarura, që kanë si motivim gazetarinë profesionale. Ne duam ta mbështesim gazetarinë cilësore dhe pluralitetin e mendimeve. Për këtë kemi nevojë për rregulla të ndershme, shtetin ligjor dhe respektimin natyrisht të lirisë së mendimit. Dhe natyrisht duhet që të mos ketë përpjekje përmes reklamave të komanduara politikisht të ushtrohet ndikim tek media, që të blihen ato apo të ushtrosh presion mbi gazetat që përfaqësojnë një mendim tjetër.
Pas kësaj analize – çfarë bëni ju kundër këtyre zhvillimeve si i ngarkuar për mediat i OSBE?
Vitin e kaluar kam ndërhyrë më shumë se 40 herë tek qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Të gjitha këto vende janë anëtare të OSBE-së dhe kanë marrë përsipër detyrimin të respektojnë lirinë e shtypit dhe mendimit. Pra, ato më kanë dhënë një mandat si përfaqësues i lirisë së mediave të ankohem publikisht apo me rrugë diplomatike, sa herë që ka pasur kërcënime ndaj gazetarëve, moskrijimin e kushteve të punës për median apo kur ka pasur kërcënime ndaj pluralitetit të medias. Pra ne punojmë me ta.
Kam dhënë disa herë rekomandime ligjore për qeveritë për reforma të reja. Ne angazhohemi që për shembull financimi i televizioneve e radiove publike të jetë i qëndrueshëm dhe i pavarur nga politika redaksionale. Ky është një proces i vështirë, që mendoj se do të zgjasë gjatë. Por mendoj se urgjenca për të është e madhe. Sepse këto vende janë në proces të afrimit me BE. Dhe është e qartë, që nuk ka për të pasur demokratizim, nëse nuk ka media të lira, të pavarura dhe pluraliste.
Pas një viti në post, si i shikoni zhvillimet në mediat e Ballkanit Perëndimor? Po shkon tendenca drejt përmirësimit apo përkeqësimit?
Ka dallime nga vendi në vend. Mund të them, se në Maqedoni kemi parë ndryshimet më të mëdha në vitin e kaluar. Klima e mediave është tërësisht ndryshe, dhe legjislacioni për to është përmirësuar. Por ajo që shohim në të gjithë rajonin është se ka shumë kërcënime ndaj gazetarëve. Ka një boshllëk në mes të ligjeve, që në shumë raste janë të mira, dhe zbatimit të tyre, që nuk reflekton respektin e vërtetë për pluralizmiin dhe pavarësinë e medias.
Natyrisht edhe presioni financiar është shumë i madh ndaj mediave, si kudo në botë. Por situata është më e vështirë në këtë rajon, sepse tregjet janë të vogla. Mendoj se është e nevojshme të mbështetet digjitalizimi dhe se si përshtaten mediat me të. Vetëm kështu mund të garantojmë që edhe në të ardhmen të ekzistojë një peizazh mediatik pluralist e gjallërues si edhe një gazetari cilësore. Prandaj ne mbështesim edhe mirërregullimin e mediave, ngritjen e këshillit të medias dhe respektimin e të drejtave të punës së gazetarëve, për të pasur gazetarë të fortë që janë në gjendje të lirohen nga presioni politik./DW