Sulmet nga inteligjenca iraniane, Krasniqi: Duhen akte zyrtare e jo statuse në Facebook
Nga Afrim Krasniqi
Shqipëria është pjesë e vendeve nënshkruese të deklaratës të lëshuar nga 14 vende, përfshirë SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Francën dhe Kanadanë, përmes të cilës dënohen operacionet e shërbimeve inteligjente iraniane në territoret e tyre. Deklarata përfaqëson një akt të rëndësishëm politik për Shqipërinë dhe natyrisht edhe një dokument referues historik.
Departamenti Amerikan i Shtetit e publikoi me 31 korrik në faqen zyrtare, BM (UK) me 1 gusht, vendet e tjera gjithashtu në data të përafërta. Shqipëria (ende) nuk e ka publikuar. Mediat tona iu referuan në publikimet e tyre publikimeve nga burime amerikane (ambasada amerikane në Tiranë) ose britanike (ambasada britanike në Tiranë). Publikimet në faqen zyrtare ose në adresat në mediat sociale të kryeministrit dhe ministrit të jashtëm janë kryesisht gjëra protokollare apo shënime politike ditore, – pa ndonjë rëndësi dhe vlerë cituese.
Qëndrimet shtetërore janë akte zyrtare shtetërore dhe meritojnë trajtim të tillë. Shqipëria ka qenë/është ende objekt sulmi nga regjimi i Iranit, është vend në NATO dhe është vendi më i brishtë në fushën e sigurisë nga lista e 14 shteteve nënshkruese të deklaratës.
Një shtet serioz vepron në mënyrë serioze. Krahas publikimit, minimumi do të duhej që zyrtarët që na përfaqësojnë të ndanin në institucione (parlament, qeveri, etj), dhe në publik përmbajtjen, qëndrimet dhe masat përkatëse. E njëjta gjë do të duhej të kishin ndodhur kur morëm disa vendime të rëndësishme mbi sigurinë gjatë viteve të fundit. E bëjnë këtë çdo ditë me lajme konsumi për ndonjë vendosje karrigesh pa leje në trotuare, apo incident me rrahje/dreka miqësore në zona plazhi dhe nuk e bëjnë për një deklarim të rëndësishëm që lidhet me sigurinë dhe interesat tona strategjike?!
Së fundi, por me rëndësi, është rasti për të rikujtuar: aktet shtetërore kanë nevojë për memorie, arkiv dhe dokumentim. Alibia e faqeve online të institucioneve nuk qëndron, ato nuk ofrojnë info, ndryshojnë me ndryshimin e titullarit, dhe programi i transparencës injorohet tërësisht. Përdorimi i teknologjisë nuk duhet të tentojë injorimin e dokumentit të shkruar, dosjeve diplomatike dhe arkivit historik. Rastet më të rëndësishme vendimmarrëse të 5-7 viteve të fundit nuk janë memorizuar përmes praktikës administrative, por janë kryesisht produkte personale në mediat sociale. Kohë më parë një ambasador perëndimor më tregoi se ishte në vështirësi t’i shpjegonte ministrit të tij se burimi i një qëndrimi të rëndësishëm të qëndrimit të Shqipërisë ishte një shënim në twitter i kryeministrit, jo një akt zyrtar i dokumentuar!
Ky shqetësim profesional vjen në rritje, duke riskuar jo vetëm të kemi burime referimi afatgjata dhe memorie shtetërore, por edhe duke injoruar detyrimet ligjore të sigurisë, informimit publik, transparencës, llogaridhënies, arkivit dhe vendimmarrjeve institucionale.
KOHA JONË SONDAZH

