Sulmi në Ankara, kryeparlamentarja Nikolla: Shqipëria, aleate e denjë në luftën kundër terrorizmit
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla dënoi sot sulmin terrorist në Ankara, Turqi. “Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, i shpreh popullit turk, Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë dhe Presidentit të saj, z. Numan Kurtulmuş, solidaritetin dhe dënimin e ashpër ndaj sulmit terrorist në Ankara”, thuhet në mesazhin e kryeparlamentares Nikolla.
Kryetarja e Kuvendit, më tej thekson se Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet një aleate e denjë e partnerëve tanë strategjikë në luftën kundër terroristëve e terrorizmit, si një rrezik për lirinë, demokracinë, sigurinë dhe paqen. Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya deklaroi sot kishte pasur një sulm me bombë në hyrje të ndërtesës së ministrisë. Sipas tij, dy “terroristë” ishin të përfshirë në sulm, njëri hodhi veten në erë, tjetri u neutralizua.
Njëkohësisht, ministri turk bëri të ditur se dy oficerë policie u plagosën lehtë në një shkëmbim zjarri të mëpasshëm. Sipas transmetuesit NTV, shpërthimi ndodhi vetëm disa qindra metra larg hyrjes së parlamentit. Parlamenti është planifikuar të mblidhet sot për herë të parë që nga pushimet e verës.