Sunak shpall zgjedhjet e parakohshme në Britani

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak ka shpallur zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme më 4 korrik, thonë burimet e BBC, me partinë e tij Konservatore që po përballet me një luftë të vështirë për të zgjatur 14 vitet e saj në pushtet.

Epërsia e Partisë Laburiste të drejtuar nga Sir Keir Starmer ndaj Partisë Konservatore në pushtet, e udhëhequr nga Sunak, u zgjerua në 18 pikë përqindjeje, sipas një sondazhi të botuar të shtunën. Ky sondazh nga instituti i Kërkimeve Opinium parashikon që Laburistët të marrin 43% të votave, krahasuar me 25% që do të shkojnë për konservatorët. Një sondazh i mëparshëm nga i njëjti institut shihte Laburistët si kryesues me 16 pikë.

Liderët e dy partive e kanë kthyer tani ekonominë në temën kryesore të betejës zgjedhore. Sipas sondazhit të Opinium, laburistët kanë një epërsi në debatin mbi çështjet ekonomike, me votuesit që supozojnë se do të përmirësojnë shërbimet publike dhe do të përmirësojnë gjendjen e ekonomisë britanike.

Një tjetër sondazh i YouGov i vendosi laburistët përpara me një diferencë shumë më mbresëlënëse, rreth 30 pikë përqindje. Konservatorët kanë qenë në qeveri, qoftë si një parti e madhe e koalicionit ose më vete, që nga viti 2010. Kjo periudhë është shënjuar me kriza historike, përfshirë edhe Brexit, apo pandeminë e koronavirusit, ndërkohë që nuk kanë munguar grindjet e brendshme partiake, që kanë bërë që Britania të qeveriset në vitet e fundit nga pesë kryeministra konservatorë.

SHKARKO APP