”Sundojnë” tregun e kokainës, sajesa e mitit të ”mafies shqiptare” në Britani
Në muajt e madje në vitet e fundit, mediat britanike kanë raportuar shpesh për një rritje të rrezikshme të krimit të organizuar shqiptar, duke iu drejtuar si “mafia shqiptare”. Ekspertët britanikë kanë dalë në konkluzionin se mafia e pamëshirshme shqiptare po dominon tashmë tregun me një vlerë prej 5 miliardë paund të kokainës në Britaninë e Madhe. Bandat e dhunshme nga vendi ynë thuhet të ketë marrë ngadalë ngadalë kontrollin e tregtisë së lëndëve narkotike në Britani, pasi u zhvendosën drejt ishullit qysh në fazat e hershme pas rënies së komunizmit, në vitin ’90.
Tashmë thuhet se banditë të frikshëm kontrollojnë thuajse të gjithë tregun në Britaninë e Madhe, me kokainën që ka arritur nivelet e saj më të lira që prej ’90-s, ndërkohë që pastërtia e saj po arrin majat si kurrë më parë në dekadën e fundit. Mafia shqiptare, siç cilësohet në “The Mirror” të Mbretërisë së Bashkuar, ka marrë kontrollin e tregut të narkotikëve në ishull, duke zmbrapsur “grosistët” e duke negociuar drejtpërdrejt me kartelet kolumbiane. Kjo gjë u lejon atyre të ulin çmimin, ndërkohë që rrisin edhe cilësinë.
Britania e Madhe është e shqetësuar, pasi ka tashmë numrin më të lartë në Europë, të të rinjve përdorues të kokainës. Një prej këtyre grupeve famëkeqe është “Hellbanianz”, një bandë që zotëron terrenin në periferinë Gascoigne, në Barking të Londrës lindore. E përbërë prej rreth 50 anëtarësh, grupi i banditëve publikojnë rregullisht foto në rrjetet sociale, duke shfaqur tufat me të holla dhe makinat e tyre super të shtrenjta. Faqja e këtij grupi në Instagram kishte 115 mijë ndjekës, përpara se të mbyllej në nëntor të vitit të kaluar.
Një zëdhënës i Agjencisë Kombëtare për Krimet tha se “grupet kriminale shqiptare kanë krijuar tashmë një profil të lartë dhe me ndikim brenda radhëve të krimit të organizuar në Britani, ndërkohë që kanë qasje të konsiderueshme në tregun britanik të narkotikëve, veçanërisht atë të kokainës”.
Miti i mafias lidhet dhe me grupe të njohura të krimit të organizuar, si ato italiane, ruse e japoneze. Kur këto grupe thirren me emrat specifikë, si grupe “Siciliane”, “Italo-Amerikane”, “Koza Nostra”, “Ndrangeta kalabreze”, “Bratva Ruse” apo “Jakuza japoneze”, e vetmja gjë e përbashkët që kanë është se të krijojnë menjëherë në mendje imazhin e organizatave kriminale, plot dhunë e korrupsion, të ndërtuara mbi traditat, vlerat dhe ritet që vijnë nga etnitë e njerëzve që i organizojnë.
Ndonëse krimi i organizuar është kryesisht një treg i larmishëm, ose një dukuri e bazuar mbi veprimtari kriminale, si trafiku i drogës apo i qenieve njerëzore, në Britani shpesh, për të mos thënë gjithmonë, i shohim si referenca ndaj etnive të tjera: italianë, rusë, kinezë, japonezë, turke, dhe tani ato shqiptare. Etiketimi “mafia” u vihet shpesh grupeve etnike që kanë një kulturë të bazuar te traditat e nderit, dhe që janë të lidhura fort me strukturat e familjes, siç është Kanuni shqiptar.
Kush fshihet në të vërtetë pas biznesit të kokainës?
Studime të detajuara, të kryera nga akademikë, e që përfshijnë deri intervista me kriminelë, deri shqyrtime të çështjeve gjyqësore e të statistikave të etnive, tregojnë në fakt se grupet shqiptare nuk kanë bashkëpunim me njëri-tjetrin kur veprojnë jashtë, si në SHBA, Kanada, Austri apo Britani. Në shumicën e rasteve nuk kanë as kontakt të drejtpërdrejtë me grupet e organizuara të vendit të origjinës. Shqiptarët punojnë me grupe të tjera, si Ndrangeta dhe “Hells Angels”. Sigurisht që është e mundur që disa kriminelë shqiptarë mund të kenë akses të drejtpërdrejtë te burimet e drogës, sidomos kokainës, në vende prodhuese si Bolivia apo Peruja, por këto grupe janë më shumë të lidhura me shpërndarësit, se me trafikuesit. Kjo do të thotë që ata merren me kokainë pasi ajo të ketë hyrë në portet përkatëse, dhe punojnë vetëm në sajë të marrëveshjeve që kanë me grupet që merren realisht me trafikun, si klanet e Ndrangetës kalabreze.
Ndodh shpesh që të ngatërrohen trafikantët e mëdhenj me shpërndarësit e vegjël që e shesin drogën pasi ka hyrë në një vend. Dhe kjo është e kuptueshme, pasi bëhet një rrjet i ndërlikuar. Shpërndarësit e vegjël që e marrin drogën dhe ua shpërndajnë shitësve të rrugës, brenda ose jashtë rrjeteve të organizuara, janë personat që ekspozohen më shumë dhe që rrezikojnë më shumë të kapen. Janë ata që bëjnë dërgesat e drogës nga trafikantët te shitësit, dhe duhet ta bëjnë shpejt, edhe pse do të thotë që përballen me dhunën dhe kërcënimin e grupeve rivale, të cilat kanë trafikuar të njëjtin produkt.
Rrjetet shqiptare janë parë shpesh si operatorë të besueshëm në këtë fushë por pesha e tyre në botën e drogës është për t’u vënë në dyshim. Sado që është domethënëse, në të vërtetë ata varen nga trafikantët, të cilët janë burimi, organizatorët dhe transportuesit e mirëfilltë të drogës. Ideja e një mafieje shqiptare, të organizuar në shkallë ndërkombëtare, mbetet një mit i vërtetë dhe thjesht krijon stereotipa negativë për emigrantët shqiptarë nëpër botë. Po ashtu, bën që publiku të largohet nga thelbi, që është se krimi i organizuar është një kombinim i strukturave dhe roleve të ndryshme, që luhen nga një larmi individësh. Të qenit nga e njëjta etni mund ta lehtësojë sistemin e shpërndarjes, në një farë mënyre por nuk e krijon.
KOHA JONË SONDAZH

