Surprizon EURO, bën kthesën e papritur brenda ditës, ja me sa lekë këmbehet sot

Monedha e përbashkët ka shënuar sërish rënie sot në tregun valutor për të dytën ditë radhazi. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 128.52 lekë, me një rënie prej 2.14 lekë në raport me ditën e mëparshme. Nga dita e hënë, kur euro arriti në rekordin e 2 viteve, duke u këmbyer me 131.06 lekë, euro ka rënë me 2.5 lekë.

Gjatë ditës së sotme në rënie ishin të gjitha valutat, ku dollari u këmbye me 117.26, me nënçmim prej 1.49 lekë në raport me ditën e mëparshme dhe paundi ra me 1.4 lekë, ne 144.85 lekë.

Gjithsesi, valutat vijojnë të qëndrojnë në nivelin më të lartë të afër dy viteve, pas rritjes së tyre gjatë dy javëve të fundit, që erdhi si rrjedhojë e kufizimit të lëvizjeve ekonomike dhe të qytetarëve nga koronavirusi si dhe pezullimit të lëvizjeve të avionëve që shërbenin dhe për transferimin e valutës për bankat.

Ekspertët pohuan se rritja e shpejtë e valutave ishte artificiale, e ndikuar kryesisht nga pamundësia e bankave për të sjellë valutën në vend, por në momentin që kjo u zgjidh gjatë fundjavës, atëherë tregu erdhi drejt qetësimit.

Gjithsesi, pasiguria vijon të mbetet e lartë. Në agjencitë valutore diferenca në shit-blerje është e lartë, çka ndodh gjithnjë kur ka luhatje të mëdha në treg. Në një prej agjencive kryesore valutore në vend, euro blihet me 126 lekë dhe shitet me 130.3 lekë, me një diferencë prej 4.3 lekësh, kur normalisht diferenca në shitblerje varion midis 0.5 dhe 1 lekë. /monitor

SHKARKO APP