“Surrogacia”, deputeti Shehu: Nëse miratohet do të pasohet dhe nga ligji i martesave homoseksuale
Deputeti i Rithemelimit, Tritan Shehu shpreson që të kundërshtohet parimisht nga të gjithë dhe të mos dërgohet në Parlament projektligji për shëndetin seksual dhe riprodhues. Për të pas këtij ligji qëndrojnë grupet kriminale mafioze brenda dhe jashtë vendit për të krijuar në Shqipëri një fermë të uteruseve dhe fetuseve me qëllim përfitimi.
Shehu tha se “Ky nuk mund të jetë ligj teknik, se lidhet me konceptin e familjes, të drejtën dhe diskriminimin e gruas, të fetusit, të fëmijës, konceptet e prindit në tërësi që familja përbëhet nga nëna dhe babai dhe fëmijët dhe jo nga prindi 1, 2, lidhet me elementë socialë dhe ha debate politike. Nuk është teknikë mjekësore e thjeshtë. Është diçka që prek natyrën njerëzore, parimet bazë të familjes dhe për mendimin tim është hedhur e sponsorizuar për t’u përdorur nga grupe mafioze për të krijuar në Shqipëri një fermë të uteruseve, fetuseve që shpërndahen. Është më e thellë se ana mjekësore. Së dyti ana mjekësore. Uterusi nuk është kasafortë bankare, është organ biologjik i rëndësishëm ku bëhet ndërlidhja midis fetusit e nënës që e ka në bark. Fëmija krijon afinitet të ndërsjellë, fëmija njeh zërin e nënës, e cila shprehet me lëvizjet e fëmijës rrahjet e zemrës fëmija njeh ambientin e jashtëm nëpërmjet nënës”.
Sipas tij, të dy kolonat e këtij ligji nëna surrogato dhe lehtësimi i procedurave të aborteve, janë kriminale, në një kohë kur shoqëria shqiptare, sipas Shehut nuk e kërkon një gjë të tillë dhe Parlamenti Europian e cilëson kriminale. Shehu thekson se ky ligj bie ndesh me parimet universale të familjes dhe duhet rrëzuar në parim, pasi në të kundërt do të pasohet me ligje të tjerë si ai i martesave homoseksuale me pasoja të rënda për shoqërinë.
“Ky ligj bie ndesh me të drejtën, dinjitetin e fëmijës, fetusit dhe gruas. Ky ligj duhet rrëzuar në parim. Në shoqërinë shqiptare nuk ka asnjë kërkesë të tillë futet një ligj artificial. Është në bashkëpunim me grupe kriminale brenda dhe jashtë vendit. Shoqëria nuk mund ta pranojë këtë gjë se shkelet norma thelbësore, dhe do pasohet me ligjin e martesave homoseksuale. Duhet t’i qëndrojmë fort në parim këtyre ligjeve që të mos kemi pasoja të rënda për shoqërinë tonë”- shtoi deputeti Shehu.