Suzana Skeja: Pesë orë në komisariat, pse tentova të futem në kryeministri!

Suzana Skeja pak ditë më parë u bë protagoniste e kronikës, pasi përfundoi në komisariat në tentativë për t’u futur në kryeministri. Pas një operacioni që kreu në spital, rreth pesë vite më parë, ajo humbi zërin dhe më pas nisën telashet, teksa kërkoi drejtësinë që nuk e gjeti asnjëherë.  – “Kam ngritur një padi për dëmtim shëndeti me QSUT dhe padia më është rrëzuar. E nisa në kryeministri për të kërkuar drejtësi, e nuk më lanë. Kështu përfundova në komisariat, sepse insistova të futesha në kryeministri. Ndenja  5 orë në komisariat,” – thekson Suzana Skeja, në reagimin e saj për “Koha Jonë”. Ajo rrëfen edhe historinë e zvarritjes së çështjes nëpër institucionet e drejtësisë, që kur kreu një operacion që i dëmtoi zërin. – ”Kam kryer  një operacion për tiroiden e më kanë dëmtuar kordën e djathtë,” – thekson ajo.  “Cilësia e zërit është e keqe dhe më lodhi shumë, sepse pas operacionit nuk janë 2 kordat “ok” dhe nuk realizohet timbri”. Pas operacionit, ajo thotë se mjekët i thanë se  “fillimisht do të rregullohet por kam 5 vjet që pres, dhe pas 3 vjetësh operacioni padita QSUT-në, për dëmtim shëndeti sepse shpresova që do të rehabilitohej zëri.” Mbi përfundimin e fundit në  komisariat, ajo shton se “ishte thjesht një formalitet, plotësimi i një formulari, si dhe më kërkuan të shpjegoja shkaqet pse shkova në kryeministri.” Suzana Skeja thotë se çështjen do ta ndjekë deri sa të vendoset e drejta në vend. Më tej dhe ironikisht se për kë bie përgjegjësia pas operacionit, e cilin akuzon ajo, Suzana  thotë se atë e gjen “drejtësia”.

Sidorela Lepri

SHKARKO APP