Sylvinho sot me ekip sulmues, statistikat e Kombëtares kundër Çekisë

Një sfidë e vlefshme për Grupin B1 në Ligën e Kombeve do të luhet sonte në ”Air Albania”, ku ekipi kuqezi pret Çekinë. Dueli vlen për kreun e grupit, pasi miqtë prijnë me një pikë më shumë (7), ndërsa kuqezinjtë janë ndjekës me një pikë më pak.  Shqipëria kërkon ”hakmarrje” edhe për faktin se një muaj më parë në Pragë në sfidën e parë mes tyre për Ligën e Kombeve, çekët fituan 2-0 dhe Kombëtarja bëri një paraqitje për t’u harruar. Stadiumi është ‘sold out’ dhe më shumë se 21 mijë zemra do rrahim kuqezi nga shkallët e impiantit dhe miliona kudo ka shqiptarë.

Përballja e sotme është e pesta në histori mes skuadrave, me dy fitore të çekëve, një të kuqezinjve dhe një barazim. Triumfi i Shqipërisë ishte një vit më parë në Tiranë, me tanët që fitonin 3-0 me golat e Asanit dhe dopietën e Seferit, duke ‘zyrtarizuar’ kalimin në finalet e Euro 2024 që u zhvillua në Gjermani. Ndërkohë pesë gola ka shënuar Shqipëria në portën e çekëve, kundrejt gjashtë të pësuarve.

Formacioni

Me mungesat e Gjimshitit, Bares, Kumbullës, Manajt dhe Brojës për shkak të lëndimit dhe me pezullimin e Dakun për ndeshjen e parë me Çekinë, braziliani është i kushtëzuar me disa zgjedhje.

Duket se Balliu ka fituar pikë para Hysajt për krehun e djathtë të mbrojtjes, ndërsa pjesa tjetër do jetë “tip” si në sfidën kundër Gjeorgjisë, veç Ajetit që merr vend në qendër të mbrojtjes.

Formacioni i mundshëm:

Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Balliu (Hysaj), Ismajli, Ajeti, Mitaj; Asllani, Ramadani, Laçi; Asani, N. Bajrami, Tuci Trajner: Sylvinho

SHKARKO APP