Tabaku: Afera korruptive Meta-DIA e faktuar, Rama përpjekje për ta mbyllur

Deputetja demokrate Jorida Tabaku, ka kërkuar nga prokuroria një hetim të thellë lidhur me akuzat që bëhen ndaj kryetarit të Kuvendit në lidhje me kompaninë DIA e kontraktuar nga CEZ.

"Skandali i ryshfetit të Ilir Metës u thellua dhe mori më shumë erë nga përpjekja e Edi Ramës për ta mbuluar, edhe pse reagimi i Kryeministrit është i thatë, sa për të larë gojën. Me anë të zyrës së tij, Edi Rama u mundua të komunikonte se avokatët e qeverisë në zyrën e arbitrazhit në Vjenë nuk paskan përmendur emrin e Ilir Metës si përfitues të ryshfeteve në shuma të mëdha.

Po çfarë kanë deklaruar zyrtarisht në fakt, të zezë mbi të bardhë Oliver Seyddhe Tim Schreiber, avokatët e qeverisë shqiptare në dokumentin zyrtar drejtuar Arbitrazhit të Vjenës me datë 30 qershor 2015: Ata janë shprehur si më poshtë:

DIA ka marrë miliona euro nga CEZ në atë kohë, dhe i ka justifikuar këto shuma për ryshfete për zyrtarë të lartë, përfshirë një ish-kryeministër i cili ka qenë nën akuzë më parë për korrupsion. Agjencia ndërkombëtare e lajmeve BIRN që botoi këtë skandal, ka arritur në konkluzionin se ish-kryeministri që përmendin avokatët e qeverisë, i cili ka qenë nën akuzë më parë për korrupsion, është Ilir Meta.

I gjithë hetimi bazuar edhe në deklaratat e mëparshme të CEZ para autoriteteve shqiptare, çon ashtu siç e kanë pranuar zyrtarisht avokatët e qeverisë shqiptare, tek Ilir Meta. BIRN flet edhe për rrethana të tjera, që e lidhin Ilir Metën me DIA-n, si për shembull vajtjen e tij deri në Pragë në zyrat qendrore të CEZ për të lobuar që DIA, kompania që ka shpërndarë ryshfete, të kontraktohej për mbledhjen e borxheve dhe shërbime të tjera.

Dokumente të siguruara nga BIRN, dhe të publikuara në një shkrim të datës 3 qershor 2015, tregojnë se ish drejtori i përgjithshëm i CEZ Shpërndarje, Josef Hajsek ka konfirmuar se Kastriot Ismailaj u rekomandua nga Ilir Meta, i cili u ofrua si garanti marrëveshjes.

Këto janë faktet, kjo është e vërteta. Të tjerat janë përpjekje të dëshpëruara për të mbuluar këtë skandal. Ngjarja është e rëndë dhe kërkon hetim të menjëhershëm e serioz nga Prokurori i Përgjithshëm. Por kjo mund të arrihet vetëm pas dorëheqjes së Ilir Metës nga posti i numrit dy të vendit, dhe dorëzimin e tij para drejtësisë si qytetar i thjeshtë.

SHKARKO APP