Tabaku debat me Bllakon: Jeni në konflikt interesi, deputeti: Jini etike, s’kam asnjë merak për ta përdorur si foltore
Deputeti Alqi Bllako ka refuzuar t’i përgjigjet Komisionit Hetimor në lidhje me çështjen e incineratorëve, duke thënë se dëshminë e tij e ka dhënë në SPAK. Debatet nuk munguan mes tij me kryetaren e këtij Komisioni Jorida Tabaku, e cila i ka thënë se ka materiale të bollshme se Bllako është në konflikt interesi.
Pjesë nga debati:
Jorida Tabaku: Është në dëshirën e tij nëse mund të deklarojë ose jo, por këtu deklaratë nuk mund të bëjë.
Alqi Bllako: Unë e firmosa deklaratën në fjalë, përsa i përket konfliktit të interesit unë e kam bërë një shpjegim përpara se të jepja dëshminë pranë organit të akuzës, ndaj të njëjtën dëshmi do doja ta ndaja dhe me ju në këtë Komision. Doja 3 minuta kohë.
Jorida Tabaku: Sipas dëshmive që kemi administruar në këtë Komision ne kemi material të bollshëm për të gjykuar nëse ka apo jo konflikt interesi. Këtë Komision s’do e përdorni si foltore.
Alqi Bllako: Nuk kam asnjë merak për ta përdorur si foltore. Unë jam i angazhuar në politikë dhe kur mora këtë vendim, mora parasysh edhe gjithë baltën që do binte ndaj këtij vendimi. Por familja ime nuk e ka kusur dhe të përbaltet për diçka të pavërtetë. Nuk ka asnjë problem, ka dhe mediume tjera për ta sqaruar këtë gjë. Duhet të jeni më etike në akuzat që bëni.