Tabaku dhe Duma, dy nënkryetaret humbëse kronike në PD

Nga Sokrat Hoxha

Zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit do të mbahen mend si zgjedhjet e para kur Partia Demokratike kaloi forcë e tretë politike në vend. Por, dy humbjet më të thella të PD-së u regjistruan në Vorë dhe Rrogozhinë, aty ku Lulzim Basha dërgoi me pompozitet dy të besuarat e tij, nënkryetaret Jorida Tabaku dhe Grida Duma, të cilat kishin përballë Erion Veliajn, si i dërguar politik i PS.

Megjithëse Lulzim Basha i vari shpresat tek dy nënkryetaret e tij, historia zgjedhore ka treguar se si Duma, ashtu edhe Tabaku, numërojnë vetëm humbje të thella në betejat e tyre përballë Veliajt.

Kur Lulzim Basha caktoi Jorida Tabakun si drejtuese politike të PD-së në Njësitë 2, 3 dhe 10 në Tiranë për zgjedhjet e 25 prillit 2021, duke e larguar nga zona e saj tradicionale, nga Njësia 8, shumëkush e pa këtë si një ndëshkim për dy humbjet radhazi që Tabaku i kishte shkaktuar selisë blu në një nga zonat që historikisht ka qenë e djathtë. Për ata që nuk e mbajnë mend, Njësia 8 është edhe zona e Lulzim Bashës, e pas dy humbjeve të rënda në 2015 dhe 2017, ku kjo njësi mbështeti fort Erion Veliajn, Tabaku duhet të garonte diku tjetër në 25 prill.

Po çfarë ndodhi në 25 prill në Njësitë 2, 3 dhe 10, ku Tabaku mori drejtimin për të mundur Erion Veliajn? Në të treja njësitë, ish nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës në kohën kur drejtohej nga Lulzim Basha, humbi rëndë! Ajo nuk mundi të sigurojë një rezultat pozitiv as në Njësinë 10, e cila ashtu si Njësia 8, njihet si bastion i PD, ku PD-ja ka fituar edhe në momentet e saj më të vështira dhe kuotat më të ulëta. Në zgjedhjet e 6 marsit, Tabaku u përball me Veliajn në Vorë, duke drejtuar fushatën e demokratëve. Por, jo vetëm që dështoi sërish thellë, por PD-ja përfundoi forcë e tretë politike, duke marrë vetëm 600 vota. Një rezultat katastrofik për Tabakun.

Të njëjtin fat përballë Veliajt mori këtë 6 mars edhe Grida Duma. Kujtojmë se në 2015-ën, Duma kandidoi për kryetare të Bashkisë së Durrësit dhe regjistroi një nga humbjet më të paharrueshme për selinë blu. E besuara e Lulzim Bashës nuk mundi të fitonte as në lagjen e familjes së saj, aty ku ishte rritur, ku humbi kundër Vangjush Dakos. E njëjta gjë ndodhi edhe në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, ku Lulzim Basha, edhe pse disfata e Durrësit ishte ende e freskët, i besoi Grida Dumës drejtimin e Njësisë 1 në kryeqytet. Por, Duma e humbi edhe këtë betejë, kësaj radhe përballë Veliajt në Tiranë, duke shënuar një tjetër rezultat negative për PD dhe pse me dy humbje në portofol, Lulzim Basha guxoi që në zgjedhjet e 25 prillit t’i besonte Dumës dy bastione të PD-së, Kavajën dhe Rrogozhinën. Ajo dështoi me sukses edhe në betejën e saj të tretë politike, duke humbur rëndë.

Duma e cila njihet për agresivitetin e saj, do të mbahet mend gjatë për “kërcënimin” e saj, kur në një takim me banorë të fshatit Blerimaj të Kavajës, e sfidoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, kur tha se do të dorëhiqej nëse Veliaj merrte në Kavajë dhe Rrogozhinë 7% të votave. Veliaj e mundi paq në të dyja qytetet, por ajo dorëheqjen nuk e dha.

Në 6 Mars Grida Duma regjistroi humbjen e radhës në Rrogozhinë përballë Veliajt.

SHKARKO APP