Tabaku: Masakra e 25 prillit u konfirmua nga KiE, rezultati i 13 qershorit e bashkon partinë

Deputetja e zgjedhur demokrate Jorida Tabaku, thotë se raportet për korrupsionin në Shqipëri tregojnë që është korrupsioni është kthyer në normalitet dhe legalizuar nga Parlamenti, ndërkohë që duhet të ishte një kambanë alarmi. “Në Shqipëri është trefishuar korrupsioni. Taksa e korrupsionit është e papranueshme, këto shifra lidhen me korrupsionin në biznese të vogla. Situata është më problematike. TI dhe SELDI që bëjnë analiza i kanë vënë Shqipërisë titullin që: ka korrupsionin të legalizuar nga parlamenti, pra kapje shteti dhe ky kthim në normalitet i korrupsionit duhet të ishte kambanë alarmi. Është shqetësues për zhvillimin e ekonomisë dhe biznesit”.

Treguesit e korrupsionit sipas Tabakut e kanë penguar Shqipërinë në rrugën e integrimit. Ajo thekson se Shqipëria nuk është gati për negociatat, pasi kriteret me këtë qeveri kanë ardhur në përkeqësim, por shton se integrimi është e vetmja forcë ndryshuese për një vend.

“Korrupsioni është një nda dy elementët që nuk është përmbushur, por shifrat e fundit janë shqetësuese. Vetë DASH e ka cilësuar Shqipërinë si vendin më të korruptuar të Ballkanit Perëndimor. Nuk do të jetë hapje negociatash, do të jetë data për konferencën e parë ndërqeveritare për të pasur monitorim në këto elementë dhe nuk është kriter i ezauruar. Jemi i vetmi vend që kemi festuar diçka që nuk ka ndodhur. Komisioni ka propozuar që duhet të fillojë konferenca e parë ndërqeveritare. Shqipëria nuk është gati për negociatat, kriteret me këtë qeveri kanë ardhur në përkeqësim, por konferenca e parë është një proces që nis dhe nuk mbaron sot dhe integrimi është e vetmja forcë ndryshuese për një vend. Presidenca sllovene do të jetë domethënëse”.

Sa i takon raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit, edhe Tabaku përsëriti qëndrimin demokrat, se u faktuan ato që opozita kishte denoncuar në kohë, por meritë sipas saj kishte vetëm votimi elektronik që reduktoi presionin mbi votuesit.

“Raporti i KiE, ishte e zeza mbi të bardhë gjithë shqetësimet që ne kemi ngritur janë atje. Që nga ndryshimet ligjore me marrëveshjen konsensuale të 5 qershorit që ndihmuan, por ndryshimet e korrikut favorizuan njërën palë. Flet me gjuhën e fakteve dhe të së vërtetës. Përmend patronazhistët e PS, të dhënat me rastet e shitblerjes së votave. Ishin vetëm 4 ditë dhe në Shkodër kanë rastisur një rast që e kanë marrë me forcë edhe e kanë detyruar të votojë për partinë në pushtet. Meritë ishte vetëm votimi elektronik, se nuk pati votime të dyfishta dhe reduktim të presionit mbi votuesit. Çdo gjë e perfeksionuar në kod dhe nuk është e lehtë të luftosh për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

E pyetur se si do ta thyejnë këtë normalitet, Tabaku thekson se duhet ndëshkim, teksa përmend si dështim të drejtësisë për dosjet e Dibrës dhe Shijakut. Ajo shton se i gjithë problemi vjen si pasojë e korrupsionit dhe kjo është beteja më e madhe e opozitës, për të cilin do të përdorin çdo institucion pa përjashtuar parlamentin.

“Në zonën time elektorale kam çuar 5 kallëzime në SPAK nuk ka për t’u thyer kjo kulturë nëse ne nuk kemi ndëshkim. Dosjet e Dibrës dhe Shijakut ishin një dështim. Është një betejë që duhet ta bëjmë ne. I gjithë problemi i ekonomisë lidhet me pushtetin e korruptuar. Është diskutuar që ne do të përdorim çdo institucion për të ngritur çështjen dhe parlamenti ku beteja do të vazhdojë nuk ka një vendimmarrje por është në të mirën tonë që ne të përfaqësohemi. Është vullneti i gjysmës së shqiptarëve në këtë mandat të tretë, do të kemi një presion të rritur ndaj qeverisë, është një parlament jo legjitim, por unë besoj se ne do shfrytëzojmë çdo hapësirë për të bërë betejën tonë”.

Në lidhje me analizën dhe garën e brendshme në Partinë Demokratike, Tabaku thekson se rezultati i 13 qershorit e bashkon partinë, ndërsa vlerëson debatin brenda saj. ”Dëshira do kishte qenë për një analizë të brendshme në parti dhe unë do kisha dashur që vëmendja të mbahej te 25 prilli, u detyruam ta hapnim një proces zgjedhor dhe nuk ka asgjë të keqe të debatosh. Debatin nuk e kemi brenda nesh por me palën tjetër dhe unë besoj që duhet t’i ruajmë energjitë për palën tjetër. Dhe me një rezultat 81% e bashkon PD. Është fakt që nuk do qeverisim në shtator por ajo që ka ndodhur në 25 prill duhet analizuar më shumë dhe duhet denoncuar dhe folur më shumë. Besoj që është një proces që na bën mirë se flasim drejtpërdrejt me njëri-tjetrin dhe çfarë mund të përmirësojmë. 13 qershori duhet të na bashkojë PD është parti e madhe. Nuk ka asgjë të keqe për mendimet e kundërta, e rëndësishme është të përfaqësohemi për ata që na votuan”. /A2cnn/

SHKARKO APP