Tabaku për Eurobondin: Çdo borxh kjo qeveri e ka keqpërdorur

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, thotë se lajmi për Eurobondin është një lajm i keq për vendin.  Sipas saj, Serbia e ka marrë më lirë, ndërsa Maqedonia e Veriut me një afat më të shkurtër se ne.

”Nuk besoj se ka vend në botë që gëzohet se po rrit borxhin. Nëse do të kishim plan konkret për përdorimin e këtij borxhi, një plan investimesh që do të kishin një kthim në ekonomi, sigurisht që opozita do ta përshëndeste këtë borxh si mundësi për daljen nga kriza. Kryeministri gënjeu kur bëri krahasim me rajonin dhe tha se kemi marrë borxh më të lirë sesa vendet e tjera. Serbia e ka marrë më lirë, ndërsa Maqedonia e Veriut me një afat më të shkurtër se ne. Lajmi i keq është që borxhit shqiptar i shtohen 650 milionë euro, prej të cilave 200 milionë shkojnë për detyrimet e borxhit të kaluar, ndërsa 450 milionë për Buxhetin e Shtetit”.

Nga ana tjetër, ajo shton se ”Kjo qeveri, çdo taksë dhe borxh që ka marrë, e ka keqpërdorur. Me një rritje të tillë taksash që ka pasur vitet e fundit, nuk kishte nevojë fare për borxh. Buxheti është i lodhur sepse të ardhurat po bien dhe borxhi është rritur, pa përfshirë këtu koncesionet. Çfarëdo mase që të merret, qeveria nuk e nxjerr dot ekonominë nga kriza ku e ka futur. Marrja e këtij borxhi shton një barrë të re për qytetarët”.

Sipas saj, Partia Demokratike ka planin e duhur për rigjallërimin e ekonomisë. ”Sot po mbyllen përditë bizneset dhe nuk kemi përgjigje nga qeveria. Po largohen përditë njerëz dhe nuk kemi përgjigje nga qeveria. PD-ja ka përgjigje për këto dhe ka një plan që po e diskuton me grupet e interesit”.

SHKARKO APP