Tahiri: Aktualisht, numri më i vogël i vrasjeve në 25 vjet

 

Siguria publike nuk është vetëm çështje e Policisë, por dhe e qytetarëve. Këtë tha Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri në çelje të fjalës së tij, gjatë prezantimit të projektligjit për sigurinë publike.

Ai vijoi më tej duke thënë se Policia e Shtetit në këto dy vite ka punuar fort për të përmirësuar imazhin e saj në sytë e qytetarit që zbaton ligjin.

“Policia punon dhe është aleat i njeriut të ndershëm. Policia po përpiqet të ndryshojë mënyrën e të menduarit. Ne po kërkojmë një tjetër filozofi për të ndërtuar sigurinë. Policia në mënyrë të padrejtë dhe për shkaqe historike, konceptohet si mjet represiv ndaj atyre që shkelin ligjin, por është mbi të gjitha mjeti për të ndërtuar partneritet me ata që nuk e shkelin ligjin dhe këtu hyjnë në punë dhe vjen në ndihmë personi i ligjshëm, që duhet të bashkëpunoj me policinë me këtë korsi të së drejtës”, theksoi Ministri i Brendshëm.

Ministri Tahiri tha gjithashtu se gjatë këtyre dy viteve falë kësaj pune të bërë nga policia kemi arritur një rezultat historik, numrin më të vogël të vrasjeve në 25 vitet e fundit.

“Ne kemi zhvilluar 4 200 takime me komunitetin, kemi sot 10% më shumë punonjës policie, që çdo ditë punojnë për të ndërtuar marrëdhënien e besimit me qytetarin, ndërsa janë rritur në 202 mijë telefonatat në nr. 129, në një vit.

Pra, qytetari është i ndërgjegjshëm dhe ka besim tek polica. Ndërtuam, tha Tahiri, Komisariatin dixhital, ku mund të denoncohej paligjshmëria. Rritëm aksesin e qytetarëve tek Policia, duke i dhënë mundësi qytetarëve për të qenë pranë Policisë e për të testuar punën e saj. Prej kësaj kemi kuptuar se duhet luftuar korrupsioni brenda policisë, ku një punonjës, ndoshta jo i rëndësishëm në hierarki hidhte baltë për disa të holla në punën e të gjithë policisë. Në kemi vënë nën hetim 1998 punonjës policie, 20% të trupës policore, Pra kjo ishte situata ku e gjetëm Policinë”, tha Tahiri.

 

SHKARKO APP