Tahiri: Drejtësia duhet të ketë vetëm një standard

Gjykata e Lartë ka shtyrë seancën e parë gjyqësore lidhur me akuzën e ngritur nga Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, për “shpifje për shkak të detyrës” në dëm të kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka.

Gjatë seancës gjyqësore, ku ishte i pranishëm vetëm ministri Tahiri, mungoi deputeti Paloka dhe për këtë arsye, trupa gjyqësore e kryesuar nga gjykatësja Ardjana Fullani vendosi shtyrjen e seancës gjyqësore.

Në dalje të Gjykatës, ministri Tahiri i’u përgjigj interesit të mediave lidhur me këtë çështje. “Sot u paraqita në Gjykatën e Lartë për t’i dhënë mundësi zotit Paloka të vërtetojë akuzat që më janë bërë në ushtrimin e detyrës dhe përgjegjësinë që mbaj si ministër i Brendshëm. Unë kam besuar që detyra jonë si politikanë është të japim kontribut që sistemi i drejtësisë të funksionojë dhe jo vetëm nëpërmjet deklaratave në publik, por edhe duke dhënë shembullin personal, si duhet të paraqitemi para gjykatës”, tha Tahiri.

Sot, shtoi ai, Paloka nuk u paraqit me pretekstin se nuk ka marrë njoftim. Unë po prirem ta besoj. Shpresoj që seancën tjetër të marrë njoftim, qoftë edhe përmes jush dhe të gjejë kurajo dhe të vërtetojë akuzat ndaj meje. Në të kundërt, nënvizoi Ministri i Brendshëm, “Paloka ka detyrimin të pranojë përgjegjësinë për shpifjet që ka bërë ndaj meje”.

Sipas Tahirit, ka ardhur koha të vendosim një standard për drejtësinë. “Kam besimin e palëkundur se qytetarët nuk pretendojnë që drejtësia të ketë dy standarde, një për të varfërit që dënohen, një për të pasurit të pushtetshmit që nuk dënohen po taksohen apo amnistohen. Ky është një standard që nuk mund ta pranoj. Kam shumë dëshirë, theksoi Tahiri, të investoj besim tek sistemi i drejtësisë, ndonëse provat që ka dhënë në vazhdimësi lënë vend për t’u dekurajuar. Por unë besoj se nëse bëhemi bashkë ja dalim ta detyrojmë drejtësinë të japë vendime të drejta për qytetarët pa dallim”, tha Ministri i Punëve të Brendshme.

SHKARKO APP