Tahiri: Pa reformë në drejtësi, t’ua kthejmë mbrapsht rrogën qytetarëve

 

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në fjalën e tij në Kuvend nënvizoi se opozita nuk duhet të mburret me ligjin e dekriminalizimit në një kohë që shqiptarët ende vuajnë padrejtësinë, porseduhet punuar bashkarisht për miratimin e reformës në drejtësi.

“Ulni gishtin e akuzës dhe kokën në shenjë respekti për hallet e qytetarëve. Nuk ka vend sot për dekorata dhe për mburravecë podiumesh. Kjo seancë duhet të na bëjë të gjithëve me turp. Duhet të zgjidhim hallin e madh të qytetarëve, që janë njerëzit që i kanë shpëtuar drejtësisë. Kësaj nuk i kemi dhënë zgjidhje. Nuk ka vend për t’u mburrur. Po dënojmë ata që janë dënuar, por çfarë do bëjmë me ata që nuk janë dënuar ende? Po u themi shqiptarëve se nuk do të keni më në Parlament njerëz të dënuar, por do të vazhdoni t’i keni në pallat, do vazhdoni t’i keni biznesmenë. Do t’i shikoni kudo. Po i heqim nga Parlamenti, por po jua lëmë juve në derë. Për këtë po mburremi? Sot po u themi shqiptarëve se edhe pse nuk po marrin pronat, të rrinë të qetë se nuk do të votojnë më njerëz të dënuar, edhe pse ai që të ka vjedhur është i lirë. Për këtë po mburremi? Shqiptarët duan drejtësi, duan që vrasësi dhe hajduti të dënohet; të ndihen me pushtetin e drejtësisë; për reformën në drejtësi. Para se të rrihni gjoksin, heshtni sepse shqiptarët vuajnë ende padrejtësinë dhe pandëshkueshmërinë. Ne kemi vetëm një mision: t’ i kthejmë rrogën qytetarëve mbrapsht nëse nuk miratojmë reformën në drejtësi”, tha Tahiri.

SHKARKO APP