Tahiri tek Apeli, kërkon të dalë nga shtëpia
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, do të dalë sot para Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, ku do të kërkojë heqjen e masës së sigurisë ”arrest shtëpie”. Kërkesa për heqjen e kësaj mase është dorëzuar një javë më parë nga avokati i tij mbrojtës, Maks Haxhia.
Seanca e sotme do të zhvillohet në orën 13:00, ku pritet vendimi i Apelit të Krimeve për ish-ministrin, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në trafikun e drogës me Habilajt.
Prokuroria ka dyshime se ish-ministri i Brendshëm ka takuar në një hotel në Korfuz Artan Habilajn, vëllain e Moisi Habilajt, i arrestuar në Itali në tetor të vitit 2017, si kreu i grupit kriminal të trafikut të drogës.
Nga ana e tij, Tahiri dorëzoi në fillim të muajit maj mandatin e deputetit, duke deklaruar se do të përballet me akuzat e Prokurorisë, deri në zbardhjen e plotë të të vërtetës.
Ambasadori amerikan, Donald Lu teksa numëron ditët e fundit në këtë post në Shqipëri, bëri dje një deklaratë të fortë për sa i përket ”dosjes Tahiri”.
”Kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe ryshfete që u janë ofruar gjykatësve. Ne i bëjmë thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para. Askush nuk është mbi ligjin”, ka thënë Donald Lu
KOHA JONË SONDAZH

