Tahiri: Xeni dhe Gita më bllokuan llogaritë bankare

­MInistri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri u është përgjigjur akuzave të opozitës se me makinën e tij Audi A8, me targa AA 003 GB dhe pronësinë e saj, është bërë trafik droge.

“Makina është në emrin tim për një fakt të thjeshtë, që është edhe dëshmi e pushtetit që kemi lënë pas. Në opozitë, unë kam denoncuar fëmijët e kryeministrit si të korruptuar dhe jam dënuar me 4 milionë lekë gjobë në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe me 2 milionë lekë gjobë në Apel nga ai gjykatësi i famshëm, Gjin Gjoni. Në atë kohë do të duhej të më merrnin të gjithë rrogën time vjetore, që të paguaja gjobat e vendosura prej tyre. Edhe për kë? Për dy fëmijët e Sali Berishës, të cilët janë bërë të famshëm për këdo, të gjithë i njohin si Xeni dhe Gita dhe që nuk kanë shkuar asnjëherë në jetën e tyre në Prokurori. Më bllokuan llogaritë bankare, hipotekën e shtëpisë dhe mundësinë e ndërrimit të targave të makinës. Edhe pasi u bëra ministër, më duhej të paguaja gjobat pas vendimit të gjykatës dhe për këtë aplikova për të marrë një kredi, që të shlyeja koston time të të bërit opozitë. Deri në miratimin e kredisë, unë shita makinën dhe është barrë ligjore e blerësit që të ndërrojë pronësinë. Ata nuk kanë mundur, sepse makinës nuk i ndërrohet pronësia për këtë shkak, ndaj dhe makina figuron ende në emrin tim. Gjatë kësaj kohe ajo është përdorur edhe dy herë të tjera prej meje. Edhe këtu dua të theksoj dëshminë e të qeverisurit tonë dhe qeverisjes së atyre. Nëse do të veproja si ministrat e qeverisë së mëparshme, do të merrja makinat e qeverisë dhe do të lëvizja nga të doja, por zgjodha të huazoja sërish këtë makinë për të shkuar me pushime me familjen time. E mora ndaj kushërinjve të mi të largët dhe mendoni se kam bërë trafik droge me familjen time mbi makinë”, ka thënë Tahiri në emisionin 'Top Story'.

SHKARKO APP