Tahiri: Zgjedhjet, verifikimi i popullsisë në çdo shtëpi

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka zhvilluar një takim me drejtues të njësive vendore, zyrat urbanistike dhe punonjës të gjendjes civile të qarkut të Lezhës për procesin e popullimit.

Pas takimit me dyer të mbyllura, ministri tha se do kryhen verifikime të banorëve, sa është numri i tyre dhe ku banojnë, si një proçes që garanton të drejtën e votës.

“Një llogari definitive se sa jemi dhe ku banojmë. Dhe me këtë takim të parë në qarkun e Lezhës ne hapim një fazë të re që është  konsultimi deri në nivel kryepleqsh dhe ndërlidhësash me komunitetin, mbledhja e informacionit paraprak në fund të cilit parashikohet një verifikim në terren, derë më derë për të gjithë qytetarët shqiptarë”, tha Tahiri.

Ministri i Brendshëm kujtoi gjithashtu se në zgjedhjet e fundit ka pasur qytetarë që fizikisht jetonin në  një njësi, por votonin në një njësi tjetër, apo jetonin në një qytet dhe kishin të drejtë vote edhe në zonë tjetër.

“Ka pasur qytetarë që fizikisht jetonin në një njësi, por votonin në një njësi tjetër, apo jetonin në një qytet dhe votonin në një qytet tjetër. Për ne është e rëndësishme të kemi një paqyrë reale të Shqipërisë së vërtetë. Kemi dy Shqipëri sot, Shqipërinë në letër dhe Shqipërinë në të vërtetë. Me qytetarë që në letër banojnë në Lezhë, por në fakt jetojnë në Tiranë apo anasjelltas.

Deri në përmbyllje të procesit, do të pezullohen emërtimet e reja të rrugëve nga Këshillat bashkiakë të qarkut të Lezhës për të mos krijuar konfuzion”, tha mes të tjerash ministri i Brendshëm.

SHKARKO APP