Tajvani nis stërvitjen masive ushtarake teksa tensionet me Kinën po rriten
Në situatat e simuluara, armiku vjen nga deti dhe ajri dhe synon marrjen e një rruge kryesore. Forcat e Tajvanit i përgjigjen me bomba.
Kjo është një nga stërvitjet që po kryhet aktualisht në Tajvan.
Këtë vit, stërvitjet kanë marrë një rëndësi më të madhe mes shqetësimeve në rritje mbi synimet e Kinës ndaj Tajvanit, një ishull vetëqeverisës që Partia Komuniste në pushtet e Pekinit e pretendon si të vetin.
Këto shqetësime janë shtuar edhe prej pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Pekini nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për të marrë kontrollin e Tajvanit dhe ka ushtruar presion ushtarak në rritje në ishull duke dërguar avionë ushtarakë në kufi.
Pekini gjithashtu ka reaguar ashpër ndaj lajmeve se kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi po shqyrton mundësinë e një udhëtim në Taipei, duke paralajmëruar se ushtria e Kinës do të ‘mbronte me vendosmëri sovranitetin kombëtar’ nëse do të përballej me ‘forcat e jashtme’ që inkurajojnë pavarësinë e Tajvanit.
Kina kërkon që SHBA të ndërmarrë veprime konkrete për të përmbushur angazhimin e saj për të mos mbështetur pavarësinë e Tajvanit.
“Nëse SHBA këmbëngul të ndjekë drejtimin e vet, ushtria kineze nuk do të rrijë kurrë duarkryq dhe patjetër do të ndërmarrë veprime të forta për të penguar çdo ndërhyrje të forcës së jashtme dhe skema separatiste për ‘pavarësinë e Tajvanit’ dhe do të mbrojë me vendosmëri sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial”, thotë Pekini.
Një stërvitje ushtarake njëjavore
Stërvitjet Han Kuang janë stërvitjet më të mëdha, me zjarr të vërtetë që mbahen çdo vit në Tajvan, një ishull me 24 milionë banorësh.