Takim sekret në Korfuz, Saimir Tahiri ka takuar Habilajn në Greqi
Janë zbardhur detaje të reja për sa i përket hetimeve ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Prokuroria kërkoi “arrest me burg” për Tahirin por kjo nuk u pranua nga gjykata e cila vendosi “arrest shtëpie”.
Mësohet se kërkesa e prokurorisë ndaj Tahirit erdhi pas letër-porosisë së mbërritur nga Greqia.
Dyshimet e prokurorëve janë se Tahiri është takuar në shtetin fqinj me Artan Habilaj, vëllai i Moisi Habilajt.
Çfarë kishte në letër porosinë e Greqisë?
Bëhet fjalë për verën e vitit 2014. Sipas sistemit TIMS, në datën 08.08.2014, ora 09:32, Tahiri, në atë kohë ministër i Brendshëm, ka dal nga Shqipëria në drejtim të Greqisë përmes Portit të Sarandës me tragetin e linjës.
6 ditë më vonë, më 14.08.2014, rreth orës 10:51 ka dalë nga Shqipëria për në Greqi përmes Qafë-Botës me automjetin tip ‘Audi’, Artan Habilaj, vëllai i Moisi Habilajt.
Dy ditë më pas, më 16.08.2014, në orën 13.31, Tahiri hyri në territorin e Shqipërisë nga pika kufitare e Qafë-Botës, i shoqëruar nga ish-shoferi i tij Aliaj me mjetin tip “Audi” ndërsa po atë ditë, Artan Habilaj ka hyrë në Shqipëri me traget përmes portit të Sarandës.
Dyshohet se Tahiri dhe Artan Habilaj janë takuar mes tyre në një restorant në Korfuz, shkruan Politiko.al.
Pikërisht kjo ishte edhe një nga pikat e kërkesës në letër porosinë që Prokuroria e Krimeve të Rënda i dërgoi autoriteteve greke pak kohë më parë dhe tashmë përgjigjja ndodhet në duart e hetuesve.
Prokurorët shqiptar kanë kërkuar nga pala greke që të vërë në dispozicion kamerat e restorantit ku dyshohet se janë takuar Tahiri dhe Artan Habilaj.
KOHA JONË SONDAZH

