Takimi i deputetëve me 8 ambasadorët, Alibeaj tregon se për çfarë u diskutua

8 ambasadorë të vendeve partnere me Shqipërinë, zhvilluan në Kryesinë e Kuvendit takime me një përfaqësi deputetësh demokratë të grupimit Alibeaj.

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, ajo e Bashkimit Europian, ambasadori i OSBE, ai i Italisë, Gjermanisë, Zvicrës, Francës dhe zv.ambasadori i Britanisë së Madhe biseduan për më shumë se dy orë me deputetët demokrate Jorida Tabaku, Dhurata Çupi, Agron Gjekmarkaj, Grida Duma, Ferdinand Xhaferri, Gazment Bardhi dhe Enkelejd Alibeaj. Pas përfundimit të bisedës, asnjëri prej ndërkombëtarëve nuk u ndal të jepte një koment për mediat, por ishte vetë Alibeaj që tregoi arsyen e takimit.

“Ishte një nga takimet që i kemi pasur si format shumë kohë më parë. Objekti i takimit ishin të gjithë reformat që kemi inciuar në parlament, nga reforma zgjedhore dhe çështje të tjera. Takimi i parë që do të pasohet nga të tjerë, qoftë në këtë format apo të tjera. Do të jetë rutinë dhe do e riinstalojmë”, tha Alibeaj.

Nga ana tjetër, Alibeaj nuk dha një përgjigje nëse ndërkombëtarët e mbështesin apo jo draftin e depozituar nga grupimi i tij në kuvend sa i takon ndarjes së re administrative të vendit, por u ndal tek synimi që patën anëtarët e komisonit të posaçëm të reformës territoriale. Grupimi Alibeajt kërkon që nga 61 bashki të shkohet në 94 të tilla, teska propozon eliminimin e qarqeve dhe riorganizimin në 3 ose 6 rajone.

SHKARKO APP