Takimi me Glover në selinë e PD-së, Berisha: E informova për ”puçin” anti-kushtetues ndaj opozitës
Këtë të hënë, Sali Berisha priti në një takim shefen e Misionit të Vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it Audrey Glover. Teksa kjo e fundit nuk dha asnjë detaj mbi çfarë u diskutua në selinë blu, Berisha deklaroi për mediat se takimi ishte i karakterit formal mbi zgjedhjet lokale të 14 Majit. Ai theksoi se PD i paraqiti zonjës Glover të gjitha problematikat që ka pikasur në këtë proces elektoral.
“Ishte një takim në të cilin diskutuam gjerësisht mbi procesin zgjedhor, dhunimin në vlerësimin tonë një nga një të ligjit elektoral dhe konventave ndërkombëtare për zgjedhjet e lira.
Informova gjithashtu zonjën për ‘puçin’ anti-kushtetues ndaj opozitës shqiptare, bashkëpunimin e korrupsionit shqiptar ndërkombëtar për të lënë vendin pa opozitë dhe vendosmërinë e PD për të çuar para procesin elektoral.
Mendoj se zonja Glover ishte tek ne në një takim për t’u informuar mbi pikëpamjet, faktet dhe zhvillimet sipas PD të këtyre zgjedhjeve në Shqipëri. Them se ne paraqitëm të gjithë problematikën për një proces normal zgjedhjesh”, deklaroi Berisha.