Takimi me mjekët në Klos, Rama: Në Gjermani merr lekë sa të duash, por s’ka kafe si këtu tek ne
Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe këtë të mërkurë me fushatën elektorale, ku gjatë një bashkëbisedimi me mjekët dhe infermierët në Klos, ai vuri theksin te rritja e pagave që fazën e parë e ka këtë muaj.
Duke qenë se një numër i lartë infermierësh dhe mjekësh janë larguar jashtë vendit, Rama theksoi edhe se në Gjermani, Itali apo vende të tjera jetesa është shumë e shtrenjtë dhe ndryshe nga këtu, pavarësisht rrogës së lartë, nuk mbeten para për të mbyllur muajin.
“Të mos të flasim pastaj se atje nëse do me pi një kafe tamam kafe, merr lek sa të dush nuk e gjen siç e gjen këtu. Muhabetin në kafe pastaj harroje fare, kështu që. Jo po janë pjesë të jetës këto, nuk është njeriu robot, ul kokën puno dhe pastaj shko i rraskapit në shtëpi dhe vetëm flejë gjumë se do çohesh të nesërmen dhe ndërkohë s’del dot nga shtëpia se po dole do paguash sa del. Jeta atje është tmerrësisht e shtrenjtë, nuk është më as Gjermania as Italia e viteve ’90, po ikin italianët nga Italia”,-tha Rama.