Taksat e reja të Bashkisë së Tiranës për parkimin e makinave nga 11 Nentori

 

Me 11nentor miratohet nga Bashkia e Tiranës taksa e re e parkimit të makinave. Tirana ndahet në tre zona A, B, C

 

ZONAT & TARIFAT

ZONA A

Zona A, përfshin qendrën e Tiranës, bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, zonën e ish-Bllokut, pra të gjitha zonat më të nxehta, ku mbizotërojnë shkëmbime tregtare e institucionale. Një pjesë të rrjetit rrugor të kësaj zone mban aktivitetin e Administratës Publike (qendrore dhe lokale), qendrat e biznesit, bankat, institucionet kulturore dhe artistike, lokalet dhe njësitë e shërbimit etj.

Në zonën A tarifa për vendparkim në rrugë është 100/ora. Ndërkohë që, vendparkimi në sheshe për autoveturat është deri në 3 orë 200 lekë, nga 8-12 orë është 800 lekë. Për autobusët tarifat janë më të kripura, pasi 1 orë parkimi në qendër të Tiranës për ta është parashikuar të jetë 500 lekë, ndërsa deri në 3 orë është 1000, dhe nëse dikush parkon autobusin 8 orë në një rrugë të kësaj zone duhet të paguajë 2 mijë lekë të reja.

Po ashtu, në zonën A, çmime të ‘kripura’ janë parashikuar edhe për ata që do lidhin kontrata 1-vjeçare me agjencinë e re që do krijohet, “Tirana Parking”, pasi vlera e një kontrate të tillë shkon deri në 438 mijë lekë të reja në vit, pra rreth 3 mijë euro në vit.

Zona B

Zona B, përfshin zonat ku mbizotërojnë shkëmbime tregtare, institucionale apo sociale me intensitet mesatar, ku qëndrimi i automjeteve në parkim zgjat normalisht 1-3 orë. Tarifa e vendparkimit në rrugët e kësaj zone është 40 lekë/ora. Ndërsa tarifa në sheshe 0-3 orë është 100 lekë, nga 3-8 orë është 250 lekë.

Për autobusët tarifa është më e lartë; 1 orë është 250 lekë, për 1-3 orë është 500 lekë, deri në 8 orë është 800 lekë. Rezervimet dhe prenotimet e vendparkimeve në rrugët e kësaj zone për një afat 1-vjeçar variojnë deri në 172 mijë lekë të reja në vit.

Zona C

Zona C përfshin rrugët sekondare për parkim dhe shfrytëzohet kryesisht nga banorët/rezidentët e zonës apo edhe nga vizitorë të ndryshëm. Tarifa për vendparkim në rrugët para banesave do të jetë 20 lekë/ora. Pra çdo person që parkon makinën e tij para pallatit, duhet t’i paguajë bashkisë 20 lekë të reja për çdo orë parkimi.

Vendparkimi në sheshet e zonës C, deri në 3 orë është parashikuar të jetë 50 lekë, 3-8 orë 120 lekë dhe 8- 24 orë 250 lekë. Për autobusët, 1 orë parkimi është 150 lekë, 1-3 orë parkimi në sheshet e zonës C është 300 lekë, ndërsa parkimi 24 orë është 500 lekë. Tarifa për vendparkim të rezervuar në zonën C, për një kontratë 1-vjeçare shkon deri në 87,600 lekë të reja në vit. Ndërsa kontratat për vendparkime në sheshet e zonës C kanë tarifa më të ulëta, pasi kontrata 12-mujore për vendparkim të rezervuar është 25 mijë lekë të reja. Kjo do ishte dhe zgjidhja më e mirë për rezidentët e këtyre zonave, në mënyrë që pagesat për të parkuar makinën të mos rëndojnë shumë në xhepat e tyre.

Kush do t’i menaxhojë paratë e parkimit?

Parkimet nuk do të jepen me konçesion, siç parashikonte projekti i Lulzim Bashës. Paratë do t’i menaxhojë një agjenci e re, “Tirana Parking”, e cila do të jetë institucion në varësi të bashkisë. Në këtë projektvendim, bashkia ka parashikuar se kjo agjensi që do ngrihet, do të ketë 105 punonjës dhe do të ketë si funksion kryesor administrimin e shërbimit të parkimit publik me pagesë të Bashkisë së Tiranës, mbi tokë dhe nën tokë, në përputhje me zonat e përcaktuara për këtë qëllim. Të ardhurat e gjeneruara nga “Tirana Parking” në zbatim të pikës 1 ndahen 90% për Bashkinë e Tiranës dhe 10% për “Tirana Parking”.

SHKARKO APP