“Taksat në Fier, shërbimet në Patos”, ankohen banorët: Ndryshim i gjendjes civile për zgjedhjet
Kanë paguar prej 30 vitesh taksa e detyrime në Bashkinë e Fierit, por prej 4 ditësh u është thënë se duhet të marrin shërbimet në Bashkinë Patos.
Rreth 100 familje në fshatin Kraps njësia Portëz, kanë denoncuar ndryshimin e gjendjes së tyre civile, pa iu kërkuar asnjë mendim.
Banori: Edhe unë e kam konstatuar, as lajmërim kam pasur nga organet e komunës apo të Bashkisë.
Banorja: Është bërë në mënyrë të qëllimshme as nuk e vë në diskutim. Sot u kujtuan këta të na transferojnë ne dhe të na çojnë në Patos? Na thoni një arsye të vetme ose i kërkoni llogari kryetarit të Bashkisë, ne nuk kemi asnjë përgjigje. Thjesht na thonë shiko se e ke atje.
Banori: Transferimi duhet të bëhet në dijeninë time. E marr unë vetë personalisht nëse dua të transferohem në Patos
Ata thonë se gjithçka është një lëvizje politike, dhe bëhet për zgjedhjet e 25 prillit 2021.
Banorja: As nuk diskutohet që është politike. Si kujtoni ju se në 2021 krejt papritur pas 30 vitesh, u marrkan emrat e transferohen me një gisht nga një komunë në tjetrën?
Në një reagim të tyre, Gjendja Civile Fier, thotë se gjithçka ka ndodhur për shkak të disa gabimeve teknike.
Gjendja Civile Fier : Është bërë një gabim në adresimin e sistemit. Qytetarët janë të lutur te drejtohen pranë sportelit të gjendjes civile për të konfirmuar adresën.