Talat Xhaferri: S’ka motive për përplasjen në Kumanovë

 

Ish-ministri i Mbrojtjes në Maqedoni dhe njëkohësisht deputeti i BDI-së, Talat Xhaferri, në një bisedë me ‘Mapon’ tha se ende ishte e paqartë se cili ishte qëllimi politik i grupimit që u përplas me policinë maqedonase në Kumanovë.

Ai pranoi se një pjesë prej tyre i njihte personalisht prej kohës së luftës, por tha se nuk e kishte të qartë çfarë i kishte shtyrë në këtë përplasje.

Sipas tij nuk ka gjasa për përshkallëzim të situatës, ndërsa shtoi se ka shumë dezinformim në lidhje me ngjarjen. Ai akuzoi opozitën se po përfitonte politikisht për të sulmuar qeverinë në lidhje me organizimin e një skenari. I pyetur për viktima civile, Xhaferri tha se nuk kishte deri tani asnjë rast.

Ai gjithashtu theksoi se do ketë një kompensim për ata shqiptarë që kanë humbur shtëpitë gjatë përplasjes me armë. Ai nuk pranoi të komentonte bisedën që ishte bërë në Këshillin e Sigurisë, duke thënë se ajo ishte konfidenciale dhe sekrete. Ndërkohë i pyetur se kush përfiton prej ngjarjes, Xhaferri aludoi për Serbinë.

“Tani që Kosova po përgatitet për të aplikuar në OKB për pranim, kush do ishte i interesuar për një ngjarje të tillë…”, tha ai ndërsa theksoi se kjo nuk do të thoshte që problemi vinte veç prej Beogradit. Ai nga ana tjetër fajësoi mediat virtuale për shpërndarje dezinformatash, duke vënë në dukje se personazhe publikë fshiheshin pas tyre për të arritur qëllime të caktuara.

SHKARKO APP