Targat e personalizuara, Gonxhja: Ndryshon koncepti, drejtuesi e mban edhe nëse ndërron makinën
Blendi Gonxhja, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, këtë të hënë foli për targat e personalizuara.
Ai u shpreh se tashmë ndryshon koncepti dhe targa mund të mbahet edhe nëse do të ndryshohet automjeti.
“Lidhja e targës me mjetin, tashmë ndryshon. Kur kemi të bëjmë me një targë të veçantë, të personalizuar, ajo mund të shkojë nga mjeti në mjet, mund ta mbash në të gjitha mjetet që do të kesh, me kusht që duhet ta transferosh në një mjet më të ri se ai i fundit. Ne kemi bërë një hibrid brenda kodit tonë dhe na bën të kemi një shërbim të veçantë, pa shembur pjesën tjetër të kodit.
Në këtë rast është rënë dakord që të kemi deri në 7 gërma, karaktere, apo numra. Kjo do të përcaktohet edhe në tarifa. Këto bëhen të gjitha për ata që kanë mundësi, të tjerët mund të vazhdojnë të marrin targat normale. Nuk është se këtu ne po i shërbejmë një kaste. Këto janë metoda për të nxjerrë fitim aty ku duket sikur nuk ka, në mënyrë që këto para të ndihmojnë për shërbimin”, tha Gonxhja.