Tashmë pa post, Këlliçi: Nuk bëhem pishman që hoqa dorë nga mandati i deputetit
Dje ishte një deputet, dhe një kandidat me potencial për të marrë drejtimin e Bashkisë së Tiranës, e ndërsa sot nuk ka asnjë post politik.
Belind Këlliçi zgjodhi që të hiqte dorë nga mandati i deputetit për të kandiduar për postin e kryebashkiakut, e në kushtet kur nuk ia doli të fitonte në 14 maj, ai thotë se nuk është aspak pishman. Sipas Këlliçit, ai nuk pendohet që hoqi dorë nga mandati i deputetit, pasi për të, e ka kryer detyrën në shërbim të qytetit.
“Nuk është shpërdorim, është një shërbim që i kam bërë Tiranës, se kam hyrë në një betejë, kur keni parë për herë të parë në 8 vite dikë që i ka bërë opozitë Erion Veliaj, kam kallëzuar në SPAK kryebashkiakun dhe drejtorët e tij, kam kërkuar transparencë, kam shkuar kam denoncuar fabrikën e asfaltit dhe mandatin e deputetit e kam përdorur në shërbim të qytetit të Tiranës, nuk jam pishman se në fund të ditës kjo ka qenë detyra ime”, tha Këlliçi në A2 CNN.