”Task-Forca” e Transportit Rrugor: Masa për çdo denoncim të qytetarëve
”Task-Forca” e Transportit Rrugor, ka intensifikuar punën në trajtimin dhe marrjen e masave për çdo denoncim të konstatuar dhe raportuar nga qytetarët. ”Task-Forca” e Transportit Rrugor bën të ditur se pas denoncimit online të qytetarëve, vuri në lëvizje grupet e terrenit të cilët konstatuan shkeljen dhe morën masa administrative të menjëhershme për një subjekt që veproi në kundërshtim me ligjin.
”Task-Forca” e Transportit Rrugor, falenderon qytetarët dhe i inkurajojmë ata të denoncojnë çdo anomali apo padrejtësi të kryer ndaj tyre. Grupet e ”Task-Forcës” vijojnë si çdo ditë kontrollet por edhe ndihma e qytetarëve është mjaft e çmuar në ndalimin e veprimtarive të transportit rrugor që cenojnë ligjin.
Grupet e ”Task-Forcës” së Transportit Rrugor, kanë kryer kontrolle në linjat urbane qytetëse, taksitë si dhe linjat e shumë diskutuara ndër-qytetëse. Në vetëm 45 ditë janë mbajtur mbi 50 akte konstatimi për kundravajtjet administrative të mjeteve që ushtrojnë transport udhëtarësh pa licencat përkatëse. Këto kontrolle bëjnë të mundur që qytetarëve t’u ofrohet një standard komfort në transport si dhe të mos shkelet ligji pasi të gjitha institucionet në vendin tonë tashmë po vijojnë me kontrollet duke luftuar informalitetin.
”Task-Forca” do të kryejë kontrollin e vendeve të shoqërive të transportit rrugor të pasagjerëve dhe të mallrave dhe vendeve të depozitimit të ngarkesave, ngarkimit dhe shkarkimit të mallrave si dhe veprimtarive të tjera të fushës së transportit rrugor, në përgjegjësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Sipas vendimit të Këshilli të Ministrave, që do shtrijë efektet deri në fund të vitit të ardhshëm, ”Task-Forca” për realizimin e objektit të saj ka të drejtë të kryejë kontrollin e mjeteve në vende të veçanta, të përcaktuara me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për transportin dhe ministrin e Brendshëm.