Tatimet për punonjësit e transportit: Si do të përfitohet paga sipas paketës nr.3

Pas vendimit të qeverisë që iu mundësonte një pagë lufte prej 26 mijë lekësh të punësuarve apo ish-të punësuarve në kompanitë e transportit publik, bëhen publike detajet sesi mund të përfitohet kjo ndihmë financiare.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton për procedurën që duhet ndjekur për përfitimin e pagës sipas paketës 3. Kjo është një pagesë shtesë, pavarësisht se këta punonjës mund të kenë përfituar nga paketat e mëparshme të ndihmës.

Sipas Tatimeve, këta punonjës do e marrin automatikisht pagesën shtesë, ndërsa për ata që nuk kanë përfituar nga pagesat e mëparshme, do të duhet të aplikojnë subjektet, që i kanë apo i kanë pasur të punësuar.

Administrata Tatimore fton të gjithë individët e interesuar të verifikojnë të dhënat e tyre dhe të plotësojnë menjëherë formularin e të dhënave bankare, publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni për të mundësuar sa më shpejt kalimin e ndihmës financiare në llogarinë e tyre.

SHKARKO APP