Taulant Balla: Policia Rrugore nuk e bën më syrin qorr
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla vlerësoi sot angazhimin e Policisë Rrugore për të evidentuar shkeljet në qarkullim dhe për të reaguar në kohë ndaj denoncimeve të qytetarëve.
Reagim i ministrit te Brendshëm, Taulant Balla:
Policia Rrugore duhet të rrisë vigjilencën në gjithë territorin e vendit për të garantuar më shumë siguri dhe respektim të rregullave të qarkullimit rrugor. Qytetarët me të drejtë denoncojnë dhe as ligji nuk toleron automjete me xhama të errësuara. Policia Rrugore nuk e bën më syrin qorr në këto raste, as veshin e shurdhër ndaj zhurmave e normave të palejueshme të shpejtësisë dhe xhirimit të gomave në qendrat e banuara. Neglizhenca dhe heshtja bashkëfajtore me të fortët e lagjes dhe mosreagimi i forcave të rendit ndaj denoncimeve të qytetarëve, janë rreshtim i policisë kundër tyre, kundër shtetit. Fenomenet e drejtimit të mjetit pas përdorimit të alkoolit apo lëndëve narkotike, janë burimi dhe shkak kryesor aksidentesh. E vlerësoj angazhimin e Policisë Rrugore Tiranë e cila gjatë shtatë ditëve të fundit ka konstatuar 15 mijë shkelje rrugore, ndër to dhe shumë raste të këtij fenomeni. Presim më shumë rezultate!