Taulant Balla takim me naftëtarët e Patosit: Pas shumë përpjekjesh, keni statusin e merituar
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe njëherësh drejtuesi politik i qarkut Fier, Taulant Balla këtë të hënë është ndalur në Patos, ku ka zhvilluar një takim me naftëtarë, nga ku theksoi se sot kjo kategori ka vëmendjen e merituar nga qeveria.
Balla u shpreh se Partia Socialiste në pak vite u dha mbi 5 mijë naftëtarëve statusin e merituar prej vitesh, status i cili u njeh përfitime për sa i takon të drejtës për të dalë në pension të parakohshëm, ndërsa atyre që janë të papunë, u njihet përparësi në punësim dhe nëse plotësojnë kushtet e përcaktuara në ligj, edhe një pagesë sa 80 % e pagës minimale në shkallë vendi.
“Më 2 shkurt 2017 ne socialistët filluam të shlyenim sadopak borxhin e madh që kemi ndaj naftëtarëve dhe në 2 shkurt 2017 votuam në Kuvendin e Shqipërisë të parin status, do ta quaja unë, të plotë dhënë një profesioni me shumë vuajtje e probleme. Unë ju falënderoj që na keni mbështetur gjithmonë, kemi vendosur t’ia lemë stafetën Fationit dhe gjej rastin ta falënderoj. Por në këto 12 vite ne kemi bërë punë të rëndësishme për ta rilindur qytetin e naftëtarëve sikurse është Patosi. Do vazhdojmë të kemi një vëmendje të shtuar ndaj kësaj zone, jo vetëm duke u kujdesur për pjesën që lidhet me sektorin e naftës, por natyrshëm të gjithë e pranojmë që Patosi nuk ka vetëm dimensionin e naftës, por ka edhe një dimension tjetër të bujqësisë dhe këtu përsëri na duhet më shumë vëmendje, më shumë mbështetje”, u shpreh Balla.