Taulant Balla: Policia duhet të kontrollojë çdo makinë për armë
Ministri i Brendshëm Taulant Balla takoi Forcat Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë së Elbasanit për t’i përgëzuar në lidhje me rezultatet e arritura në kuadër të operacionit “Tempulli” si dhe për t’u njohur me zbatimin e masave lidhur me “paketën e sigurisë në shkolla”.
Balla nënvizoi gjithashtu se detyrë primare e punës së policisë është parandalimi e më pas zbulimi i veprave penale.
“Sot dua që, përveçse t’ju falënderoj për pjesën që lidhet me suksesin e parë të operacionit kombëtar “Tempulli” kundër shpërndarësve të lëndëve narkotike në qarkun tuaj, por në mënyrë të veçantë me fokusin te shkollat ose pranë shkollave, te moshat e reja, sot jam edhe për një arsye tjetër.
Dua të jem shumë i qartë dhe shumë i prerë në rolin që ka Policia e Shtetit, për sa i përket luftës kundër kriminalitetit. Nuk mund të mjaftohemi thjesht dhe vetëm me këtë operacion ose këtë vëmendje. Natyrshëm kjo është një vëmendje kryesore. Na duhet që të punojmë fort me zbulimin e krimeve të ndodhura në të kaluarën. Për këtë Drejtori i Përgjithshëm i policisë ju ka nisur një udhëzim të posaçëm për evidentimin e personave që janë në kërkim dhe për rritjen e zbulueshmërisë së akteve kriminale”, tha Balla.
KOHA JONË SONDAZH

