Të ardhurat për frymë të shqiptarëve, Rama: Janë në 9300 nga 3300 euro kur erdhëm në qeverisje

Kryeministri Edi Rama, thotë se të ardhurat për frymë kanë shkuar në 9300 euro nga 3300 euro që ishin në kohën kur kjo forcë politike nisi qeverisjen e vendit. Në një takim me grupin e dytë të aplikantëve në platformën digjitale “Deputeti që duam”, Rama tha se pak vite më parë Shqipëria ishte e parafundit në rajon në renditjen për të ardhurat për frymë, ndërsa sot qëndron pas Serbisë dhe Malit të Zi.

”Flet vet fakti që ne kemi qenë një vend me 3300 euro të ardhura për frymë. Sot jemi me 9300 euro të ardhura për frymë. E kemi trefishuar. Është diçka që flet për një rrugë transformimi e shprehur në pasqyrën e këtij territori ku ne jetojmë. Kur ne nisëm detyrën kishim faktikisht të gjitha vendet e rajonit, përveç Kosovës para në renditjen për të ardhurat për frymë. Dhe këto janë shifra të FMN-së. Ndërsa sot ne kemi para nesh vetëm Malin e Zi e Serbinë që kanë respektivisht 11 600 dhe 11 300 euro të ardhura për frymë”, deklaroi Rama.

Rama tha se po ashtu rritje ka pësuar edhe paga minimale e cila sot është 400 euro nga 156 euro që ishte në 2013-ën. Po ashtu theksoi se paga mesatare në sektorin publik ka shkuar 900 euro. “Ne kur morëm detyrën, paga minimale ishte 156 euro, sot është 400 euro. Paga mesatare në Shqipëri ishte 321 euro, sot është 750 euro. Paga mesatare në sektorin publik sot është 900 euro, por për mësuesit e disa kategori të tjera ka shkuar 950 euro”, tha ai.

SHKARKO APP