Të dehur dhe pa patentë, në pranga 12 shoferë. Policia vendos 2354 gjoba

Policia rrugore vijon kontrollet intensive në akset rrugore të vendit, ndërsa bëhet me dije se në 24 orët e fundit 12 shtetas kanë përfunduar në pranga, për drejtim mjeti në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi, ndrsa janë pezulluar 43 leje drejtimi. Njëkohësisht janë vendosur 2354 gjoba.

“Intensifikimi i kontrolleve nga Njësia Operacionale e Policisë Rrugore, Komisariati i Policisë Rrugore Tiranë dhe Sektorët e Policisë Rrugore në DVP-të, duke përdorur dronë, radarë, kamera, aparate fotografike, makina të paloguara, gjatë 24 orëve të fundit, ka çuar në pranga 12 drejtues mjetesh, nga të cilët 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 6 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Përgjatë kontrolleve parandaluese të alternuara, me qëllim konstatimin dhe verifikimin e shkeljeve që janë burim për aksidentet rrugore, efektivët e Policisë Rrugore të Tiranës arrestuan në flagrancë shtetasin A. H., 26 vjeç, banues në Tiranë, sepse në bulevardin “Zhan D’Ark”, për t’iu shmangur masës administrative, iu ka ofruar punonjësve të Policisë Rrugore, 2.000 lekë të rinj.

Si rezultat i mbulimit të të gjitha akseve rrugore me radarë, në të gjithë vendin janë evidentuar shpejtësi gati mbi dyfishin e lejuar, si në qendrat e banuara në Kamzë e në Bulevardin e Ri në Yzberisht, ashtu edhe në akset rrugore nacionale, shpejtësi që kanë arritur deri në 171 km/h në Laç-Milot”, njoftoi policia.

SHKARKO APP